Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe rivali i tij në zgjedhjet e 3 nëntorit, Joe Biden, iu përgjigjën pyetjeve të votuesve në dy debate të ndara televizive, pas anulimit të debatit që duhej të zhvillonin së bashku.Kandidati demokrat presidencial Joe Biden kritikoi të enjten atë që ai e quajti përgjigjen e nxitur nga “paniku” të Presidentit Donald Trump ndaj pandemisë së koronavirusit, ndërsa Trump mbrojti menaxhimin nga ana e tij të një krize që ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 217,000 amerikanëve.Ish-nënpresidenti Biden, duke folur para votuesve në Filadelfia në televizionin ABC, fajësoi presidentin republikan se e kishte mbajtur të fshehtë se sa vdekjeprurës ishte virusi që ka infektuar gati 8 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara.“Ai tha se nuk i tregoi askujt sepse kishte frikë se amerikanët do t’i kapte paniku,” tha Biden. “Amerikanët nuk përfshihen nga paniku. Ai u kap nga paniku.”Presidenti Trump mbrojti si reagimin e tij ndaj pandemisë, ashtu edhe sjelljen e tij personale, përfshirë skenën e një aktiviteti në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, ku vetëm pak vetë mbanin maska ose praktikonin distancimin fizik, gjë që rezultoi në infektimin e shumë vetëve.“Unë jam president – duhet të takohem me njerëz, nuk mund të rri në bodrum,” tha Trump në televizionin NBC para një auditori të hapur votuesish në Majami, duke kritikuar në mënyrë të tërthortë Biden, që për disa muaj nuk bëri fushatë për shkak të pandemisë.Presidenti Trump nuk iu përgjigj pyetjeve se kur ishte hera e fundit që kishte rezultuar negativ para se të merrte virusin, duke thënë se nuk e kujtonte me saktësi.Presidenti nuk pranoi të denonconte QAnon, teoria e rreme e konspiracionit sipas së cilës demokratët janë pjesë e një rrjeti global pedofilie, duke lavdëruar së pari ata që e besojnë këtë teori se janë kundër pedofilisë, përpara se të thoshte se ai nuk dinte asgjë për lëvizjen.Trump gjithashtu iu shmang pyetjeve në lidhje me një hetim të Neë York Times të dy dekadave të taksave të tij, të cilat ai ka refuzuar t’i lëshojë publikisht, megjithëse për dekada me radhë presidentët e tjerë e kanë bërë një gjë të tillë.Dy kandidatët ishin të kujdesshëm në përgjigjet lidhur me seancat në Senat për konfirmimin e gjykatëses Amy Coney Barrett, kandidatja e Presidentit Trump për Gjykatën e Lartë. Republikanët duan që zonja Barrett të konfirmohet para zgjedhjeve, ndërsa kishin refuzuar ta bënin këtë për ish-kandidatin e ish-Presidentit Demokrat Barack Obama në 2016, duke thënë se do të ishte e papërshtatshme në një vit zgjedhjesh.Zoti Biden tha se ai nuk ishte “tifoz” i idesë së fryrjes së gjykatave, ideja e promovuar nga disa demokratë për të shtuar gjykatës për t’iu kundërpërgjigjur asaj që ata e konsiderojnë si një vend të vjedhur në gjykatë. Por ai nuk pranoi ta përjashtonte një mundësi të tillë pasi moderatori George Stephanopoulos këmbënguli, duke thënë: “Varet se si do të rrjedhin ngjarjet.”Trump nuk pranoi të thoshte nëse do të donte që të shfuqizohej e drejta për abort, diçka që shumë studiues ligjorë besojnë se ka më shumë të ngjarë të ndodhë me konservatoren Barrett në gjykatë.Ndërkohë organizata demokrate për mbledhjen e fondeve ActBlue tha të enjten se ka grumbulluar 1.5 miliardë dollarë online nga korriku deri në shtator, shuma më e madhe që kishte mbledhur ndonjëherë në një tremujor. Ndërsa platforma kryesore republikane për mbledhjen e fondeve WinRed tha të hënën se ajo kishte mbledhur 623.5 milion dollarë në të njëjtën periudhë.Fushata e zotit Biden mblodhi 383 milion dollarë në shtator, duke vendosur një rekord të ri për një fushatë amerikane për të dytin muaj radhazi. Fushata e zotit Trump nuk i ka publikuar shifrat e saj mujore.Të dy kandidatët po vizitojnë shtetet vendimtare këtë javë. Zoti Trump ka mbajtur tubime në Florida, Pensilvani dhe Ajova, ndërsa zoti Biden po udhëton në Ohajo dhe Florida.
133