Trajneri i ri i Partizanit bën jehonë në mediat serbe: Do të ketë detyrë të rikthejë klubin drejt titullit

“Nuk kam frikë nga asgjë, sepse nëse do të kisha, do të isha në shtëpi duke pirë birra”, u shpreh Aleksandar Veselinoviç gjatë prezantimit të tij si trajneri i ri i Partizanit. Ama gjatë deklaratës së tij, serbi nuk e fshehu aspak faktin se në krye të skuadrës e presin sfida të vështira dhe të rëndësishme për t’u kaluar. Fakti që vjen te Partizani pas nisjes së kampionatit dhe nuk e ka shansin të ambientohet dhe të kryejë një fazë të plotë përgatitore me ekipin, ia komplikon jo pak gjërat Veselinoviç.

Në harkun e pak ditëve ai duhet të njihet me lojtarët dhe t’i injektojë ekipit idetë e tij në lidhje me mënyrën sesi kërkon të luhet. Përveç kësaj, Aleksandar nuk gjen një Partizan po me aq emra sa vjet. Nga klubi janë larguar lojtarë të rëndësishëm si Sota, Atanaskoski, Murataj, Skuka apo Maget dhe zëvendësuesit nuk janë emra aq “pompozë” sa të lartpërmendurit. Trajnerit i duhet të krijojë dhe të rrisë liderë të rinj për ekipin e kuq dhe kjo është padyshim një detyrë tejet e vështirë. Gjithashtu, për tri ditë mbyllet merkatoja dhe ndërhyrja për të përmirësuar ekipin është e kufizuar.

Lajmi i emërimit të Aleksandar Veselinoviç si trajner i Partizanit ka marrë vëmendje të konsiderueshme nga ana e mediave serbe. Një numër i madh portalesh dhe jo vetëm kanë reklamuar emërimin e Veselinoviç dhe faktin se ai bëhet trajneri i dytë serb në elitën e futbollit tonë, pas Gvozdenoviç. “Aleksandar Veselinoviç është trajneri i Partizanit të Tiranës. Ftesa e 17 herë kampionëve të Shqipërisë ka rezultuar e parefuzueshme nga ana e tij. Eksperti elokuent do të ketë për detyrë të rikthejë Partizanin te titulli kampion. Ivan Gvozdenoviç, një tjetër serb, punon në elitën e futbollit shqiptar”, shkruanin media si “Sportklub” apo “Informer”.

Related posts

“Kukësi duhet përgëzuar për lojën”, Agostinelli bën diplomatin pas fitores: E merituam plotësisht fitoren

“Flamurtari nuk krijoi superioritet”, Emiljano Çela nuk pajtohet me humbjen: Me cilësitë që ka Kukësi, nuk rrezikon

“Ndeshja mund të kishte shkuar ndryshe”, trajneri i Elbasanit “qan” penalltinë e humbur nga Musta: Zhvilluam një ndeshje të mirë