Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, ka theksuar se fitorja e sotme ndaj Vllaznisë ishte e vuajtur, ashtu siç e kishte parashikuar gjatë javës. “Fitore e vuajtur do të them, mendoj dhe u thashë edhe djemve gjatë javës që do të ishte ndeshje me episode se ashtu ndodhi, për faktin se Vllaznia po kalonte një formë të mirë. Ishim në kontroll gjatë pjesës së parë, në pjesën e dytë lëshuam pak terren, sidomos në markim. Ishim dobët në manovrën e daljes së topit, edhe për faktin se Vllaznia po bënte presing dhe markim të mirë në mesfushë, por me shumë pak përqendrim mund të ishim ndryshe.
Nuk ishte Bakajoko në ditën e mirë sot në presing te të dy mbrojtësit, lëshuam terren, morën metra e fituan gjerësi në gjysmëfushën tonë. Ne ndryshuam skemën dhe përveç pritjes së Dajsinanit ndaj Grudës për të cilën e falënderoj, mendoj se nuk rrezikuam. Por mendoj se ishte ndeshje e vështirë dhe i përgëzoj djemtë për fitoren se ishte me shpirt gare.
Mendoj se rastet ishin nga të dyja por nuk më shqetëson, ne do të nxjerrim analizë nga ndeshja. Nuk është shqetësim, në fund të fundit është fituar, ka moral. Por duhet t’i futem punës se disa lojtarë janë jashtë detyrave, por në vazhdim do të rregulloj gjithçka. Vllaznia ka disa ndeshje që luan në kundërsulm se ka lojtarë të shpejtë nga krahët, ndaj zgjodhëm një 4-2-4 me pasime të shkurtra vertikale. Por nuk funksionoi, sidomos në pjesën e dytë fare, bëmë diçka, por nuk është mjaftueshëm për një vazhdimësi 90 minuta.
Në një ndeshje si kjo me Vllazninë, një mini-Final Four, skuadra do të dijë të vuajë. Koha e rotacionit e dy fazave të para mendoj se nuk do të jetë më efektive, do të përqendrojmë lojën te lojtarët për të gjetur momentet për të dalë në sulm me anë të tranzicionit. Në fazat e para kemi bërë 2 sisteme apo 3, që të kemi mundësi që të ndryshojmë”, tha trajneri Edlir Tetova për RTSH pas ndeshjes.