Ardit Bala, 21 vjeç, është arrestuar ditën e sotme nga policia e Tiranës, pasi është kapur duke tregtuar produkte të kontrabanduara me përbërje lëndësh narkotike, ndërkohë që është shpallur në kërkim edhe një prej bashkëpunëtorëve të tij.
Njoftimi i policisë: DVP Tiranë. Finalizohet operacioni policor i koduar “Mix”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare.
Tregtonin produkte të kontrabanduara në vendin tonë, vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër. Sekuestrohen produkte të ndryshme që dyshohet se kanë në përbërje lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një shtetas që tregtonte produkte me përbërje kanabisi, të dyshuara të kontrabanduara në vendin tonë, menjëherë kanë organizuar operacionin policor të koduar “Mix”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua shtetasi A. B., 21 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi T. T., 26 vjeç.
Gjatë kontrollit në dyqanin e shtetasit T. T., me punonjës shtetasin A. B., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, produkte të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara, të cilat sipas mbishkrimit në paketim, kishin në përbërje lëndë narkotike cannabis sativa.