Tirana me numrin më të lartë të popullatës në Shqipëri, për pasojë ka numrin dhe më të lartë të mjeteve të transportit, duke arritur deri edhe në 3 makina për familje. Një studim i fundit i kryer në Amerikë zbulon të vërteta shokuese që kanosin shëndetin njeriut, pasi zhurma e trafikut rrit nivelin e hipertensionit në gjak.
Sipas një studimi të publikuar në revistën e Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë “JAÇ: Advances”, zhurma e trafikut shoqërohet me një rrezik të shtuar të hipertensionit.
Studimet e mëparshme kanë treguar një lidhje midis trafikut rrugor të zhurmshëm dhe rritjes së rrezikut të presionit të lartë të gjakut, por ishte e paqartë nëse zhurma apo ndotja e ajrit luanin një rol më të madh. Hulumtimet e reja tregojnë se ekspozimi ndaj zhurmës së trafikut rrugor mund të rrisë rrezikun e presionit të lartë të gjakut.
Për hulumtimin, shkencëtarët përdorën të dhëna nga baza e të dhënave biomjekësore britanike Biobank UK. Ata analizuan të dhënat për më shumë se 240,000 njerëz të moshës 40-69 vjeç pa hipertension.
Ata vlerësuan zhurmën e trafikut rrugor bazuar në adresën e banimit dhe një mjet modelimi europian, Metoda e Përbashkët e Vlerësimit të Zhurmës. Duke përdorur një mesatare prej 8.1 vitesh të të dhënave të ndjekjes, ata vunë re se sa njerëz vuanin nga hipertensioni.
Studiuesit vënë në dukje se politikat e shëndetit publik, të tilla si vendosja dhe zbatimi i udhëzimeve më të rrepta të zhurmës, përmirësimi i kushteve të rrugëve dhe investimi në automjete më të qeta, mund të zbusin efektet negative të zhurmës së trafikut rrugor.