Tirana po përgatitet me planin B, duke marrë parasysh dyshimet për dy lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Redon Xhixha, i cili ka një problem të vogël me kaviljen, pritet të jetë gati për të luajtur. Ai po vraponte dje në seancën stërvitore dhe, në rast nevoje, mund të sakrifikohet edhe me gjilpëra për të dhënë kontributin e tij.
Kjo sakrificë tregon edhe përkushtimin e lojtarit ndaj ekipit dhe rëndësinë që ka për trajnerin Orges Shehi. Ndërkohë, Serge Tabekou mbetet ende një pikëpyetje. Belgu nuk ka nisur ende stërvitjen me ekipin dhe vendimi për aktivizimin e tij do të merret vetëm pak para ndeshjes, në bazë të gjendjes së tij fizike dhe aftësisë për të dhënë maksimumin në fushë. Ky fakt e ka detyruar trajnerin Shehi të mendojë variante alternative për të mbajtur ekuilibrin në mesfushë dhe repartin sulmues.
Në skemën e mundshme të ndeshjes, Xhixha mund të startojë nga minuta e parë, ndërsa Mehmeti do të jetë pjesë e sulmit. Kjo i lë hapësirë trajnerit Shehi për të vendosur ose se cili nga Haxhiu, Falaje dhe Tare do të aktivizohet, duke ruajtur ekuilibrin mes ofensivës dhe mbrojtjes. Ky fleksibilitet taktik është pjesë e strategjisë për të mos rrezikuar, por edhe për të shfrytëzuar sa më mirë çdo mundësi në fushë. Plani B i Tiranës nuk është thjesht një lëvizje emergjente, por një mënyrë për të siguruar vazhdimësinë e ritmit të lojës dhe për të arritur objektivin kryesor. Tre pikët ndaj Vorës. Pas një serie ndeshjesh ku bardheblutë patën vështirësi në rezultate, kjo sfidë është një mundësi e artë për ekipin që të ngjitet në renditje dhe të rifitojë besimin.