Tirana në heshtje ka filluar të zbrazet me lojtarët që kanë qenë në titullarë dhe jashtë projektit. Ditët e fundit, ata që kanë konfirmuar largimin janë Romeo Harizaj, Fatmir Prengaj dhe Akileu Ndreca. Lista e largimeve te Tirana është e gjatë. Tirana dhe Admir Bajroviç duket se kanë ndarë rrugët. Ndonëse nuk ka një njoftim zyrtar nga palët, duket se në korrik kur nis grumbullimi gjërat do të jenë ndryshe.Një nga titullarët që pritet të largohet është Mahamadou Dembélé. Për mbrojtësin francez ka ardhur një ofertë nga Arabia Saudite.
Emri i skuadrës nuk bëhet i ditur, por arabët japin 200 mijë euro, ndërsa vetë Tirana kërkon të paktën 300 mijë euro. Për t’u parë mbetet, nëse oferta nga ana e arabëve do të rritet apo jo. Nëse marrëveshja nuk mbyllet shpejt atëherë, destinacioni pritet të jetë një nga vendet nordike ose në Rumani. Kujtojmë që Dembele është një mbrojtësit kryesorë të skuadrës, ndërsa ai gjatë gjithë kohës ka pasur oferta nga skuadra të tjera.
Në janar, shitja u anulua pasi klubi nuk pranoi çmimin që iu propozua nga dy skuadra, njëra turke e tjetra austriake. E njëjta situatë është edhe për sulmuesin francez Jarmouni. Futbollisti ka pasur oferta nga kampionati turk dhe Tirana nuk dëshiron që të humbasë sulmuesin pa bërë një sezon me bardheblutë. Vlera e lojtarit është 450 mijë euro, ndërsa ajo e Dembelesë 300 mijë euro. Tirana kërkon që të marrë të paktën 600- 700 mijë euro nga ky operacion, ndërsa ende nuk ka caktuar një çmim të paktën për Jarmouninë, që pëlqehet nga disa klube dhe duan të dinë vlerën e kartonit dhe janë interesuar te bardheblutë.