Tifozët e Vllaznisë pritet të jenë një “armë” plus për skuadrën në ndeshjen gjysmëfinale kundër Dinamos.
Sipas asaj që është bërë e ditur prej disa ditësh në media, klubi shkodran ka vënë nën dispozicion 10 autobusë për mbështetësit e kuqebluve, në mënyrë që të jenë sa më afër ekipit në pikën kulminante të sezonit. Megjithatë, interesimi i tifozëve shkodranë duket se është edhe më i madh seç ishte parashikuar. Në “Arena Kombëtare” ditën e diel pritet një numër prej 6000 deri në 7000 tifozësh që do të jenë në mbështetje të Vllaznisë.
Tifozë që nuk do të vijnë vetëm nga Shkodra, por edhe nga diaspora.
Tifozët shkodranë që jetojnë jashtë vendit dhe konkretisht në vende si: Anglia, Gjermania, Itali dhe Franca, do udhëtojnë nga vendet ku jetojnë e punojnë për të ndjekur Vllazninë në Tiranë. Një interesim i jashtëzakonshëm i tifozërisë kuqeblu, që është një nga më të “zjarrtat” në vend dhe ku patjetër dëshira për të shikuar ekipin e zemrës kampion është shumë e madhe. Duke qenë se titulli në Shkodër mungon prej 24 vitesh, konkretisht që nga sezoni 2000-’01, kur shkodranët triumfonin për herë të fundit.
Vllaznia ka nisur një grumbullim 3-ditor para ndeshjeve të “Final 4”. Kështu, shkodranët që prej ditës së enjte kanë udhëtuar drejt qytetit të Durrësit, për t’u vendosur në një prej hoteleve të qytetit bregdetar, ku patjetër po zhvillojnë edhe seancat e zakonshme stërvitore para ndeshjes me Dinamon. Kësisoj, drejtuesit e klubit kanë plotësuar kushtet maksimale për futbollistët kuqeblu, të cilët duhet të qëndrojnë sa më të qetë dhe të fokusuar te dueli i radhës.