Thomas Brdaric, trajneri i Vllaznisë ka folur për emisionin “Super Gol” në RTSH në lidhje me ndeshjen e çerekfinales mes Elbasanit dhe Vllaznisë, përballje që përfundoi me rezultatin 0-0.
DEKLARATA E THOMAS BRDARIC
NDESHJA-Pikë së pari e prisnim një ndeshje të fortë. Ekipi po luftonte për të kaluar në raundin tjetër. Ishte një ndeshje në transfertë. Dihej që duhej të kalonim limitin për t’u shpërblyer me diçka në fund. Për Elbasanin është një mundësi e mirë për të kaluar më tepër në këtë kompeticion pasi në kampionat janë disa pikë mbrapa. E di që do të kenë të gjitha forcat për të kaluar në fazën tjetër.
NERVOZIZMI-Nervozizmi është normal sepse asnjë s’ka dëshirë që të mposhtet, çdo situatë mund të jetë deçizive. Unë nuk dua të ankohem për arbitrimin, por e humbi pak kontrollin në 20 minutat e fundit. Normal nuk mundesh të ndalosh çdo gjë që ai bën. Ai është një arbitër me eksperiencë, arbitron mirë. Duhet të shohim veten tonë. Ndeshje në fushë kundërshtare, barazim, jemi në rregull me këtë.
MOTIVIMI-E kishim të vështirë të merrnim diçka sot. Por është e drejtë të motivosh lojtarët. Kur e di si funksionon në futboll, duhet të investosh gjithmonë në punën tënde, që në fund të shpërblehesh me diçka. Stojanovic ose Krymi në qendër, e kemi variabël si opsion. Pasi nuk dua të bëhemi të thjeshtë se si duhet të luajmë për kundërshtarin. Krymi bën më mirë në rolin para dy qendrave. Le të shohim.
KUNDËRSULMET-Ne nuk u treguam mjaftueshëm të zgjuar. 3-4 kundërsulme mund t’i përfundonim më mirë. Duhet të rritemi edhe në dublimin e lojtarëve. Të çojmë sa më shumë lojtarë në zonën e fundit, por s’donim të rrezikonim pasi tranzicioni negativ është armë e fortë për Elbasanin. Por në sulm mund të bëjmë më mirë”, tha Thomas Brdaric.