Avokati mbrojtës i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri, pretendon se është tentuar eliminimi i klientit të tij në ambientet e burgut të Reçit.
Avokati në një denoncim në faqen e tij në Facebook, shkruan se një punonjës i burgut i ka dhënë Haxhisë disa ilaçe, duke i thënë se i ishin dërguar nga familja.
Por motra e të dënuarit për vrasjen e Azem Hajdarit, ka deklaruar se ajo nuk i ka dërguar diçka të tillë vëllait në burg, dhe është e vetmja nga familja që kujdeset për të.
“Bota e krimit, e cila i ka tantakulat e saj shumë të forta në Burgje, për shkak të një kallëzimi penal tepër serioz që Izet Haxhia ka bërë kundër ish Presidentit të Republikës Sali Berisha, ish Kryeministrit Ilir Meta etj, kallëzim penal që është rregjistruar në SPAK në vitin 2019 dhe është në proces hetimi, kërkojnë eleminimin e tij”, shkruan Beqiri në reagimin e tij.
Sipas avokatit, Haxhia ka kërkuar takim me përfaqësues të burgut të Reçit, por ata kanë pretenduar se është bërë një ngatërresë me rastin.