Greqia ka në plan të heqë kufizimet e karantinës nga java e ardhshme për udhëtarët nga Bashkimi Evropian dhe pesë vende të tjera të cilët janë vaksinuar ose kanë test negativ për Covid-19, tha të mërkurën një zyrtar i lartë qeveritar.
Muajin e kaluar, vendi hoqi një rregull për karantinë njëjavore për udhëtarët izraelitë të cilët janë vaksinuar dhe kanë test negativ.
Greqia, e cila doli nga një krizë financiare një dekadë përpara pandemisë vitin e kaluar, ka thënë se do të hapë sektorin e saj të turizmit nga mesi i majit, një nxitës kryesor i rritjes për ekonominë e saj.
“Ne gradualisht do të heqim kufizimet në fillim të javës tjetër përpara hapjes në 14 maj,” i tha Reuters një zyrtar i lartë i Ministrisë së Turizmit me kusht anonimiteti.
Zyrtari tha se qytetarët nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Britania, Serbia, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të lejohen të udhëtojnë në Greqi përmes aeroporteve të Athinës, Selanikut, Iraklio, Hania, Rodos, Kos, Mykonos, Santorini dhe Korfuzi, dhe dy vendkalime kufitare.
Pasagjerët nga ato vende nuk do të jenë në karantinë, për sa kohë që ata vërtetojnë se kanë marrë dy doza të një vaksine Covid-19 ose tregojnë një test negativ PCR të kryer 72 orë para mbërritjes së tyre, tha zyrtari, duke shtuar se turistët do t’i nënshtrohen kufizimeve të brendshme.
Sipas rregullave aktuale, të gjithë të huajve që hyjnë në Greqi u kërkohet test negativ dhe karantinë për shtatë ditë. Për pasagjerët nga Britania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, një test i dytë i detyrueshëm kërkohet gjithashtu pas mbërritjes së tyre.
Greqia ka dalë më mirë se vendet e tjera të BE në përmbajnë valën e parë të pandemisë por një ringjallje në infeksionet Covid-19 e ka detyruar vendin të vendosë kufizime bllokimi që nga nëntori.Greqia ka raportuar gjithsej 301,103 raste dhe 9,054 vdekje deri më tani.
Prej sot, kufizimi në lëvizje zhvendoset sërish në orën 22:00 të mbrëmjes. E njëjta gjë ndodh edhe me baret dhe restorantet, për të cilat kufizimi i aktivitetit rikthehet po ashtu në orën 22:00.
Në fund të dhjetorit, Ministria e Shëndetësisë vendosi ashpërsimin e masave për shkak të festave. Kështu, për një periudhë 10-ditore, orët policore u zhvendosën në 20:30. Në vendimin e marrë, Komiteti Teknik i Ekspertëve argumentonte se ky kufizim do të zgjaste deri në datën 4 janar, më pas do të qëndronin në fuqi masat e ndërmarra në fillim të muajit. “Duke qenë se kemi hyrë në një periudhë të festave, bazuar në vlerësimin e riskut që sjellin grumbullimet dhe shtimi i kontakteve, pas kësaj analize të situatës kemi marrë disa vendime.
Kemi vendosur: Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 20:30 deri në orën 06:00 të mëngjesit, duke filluar nga data 24 dhjetor deri në datën 4 janar. Po ashtu, kemi marrë vendim: kufizimin e aktivitetit të bareve dhe restoranteve, fast food, lokale, që ofrojnë shërbim për klientët nga ora 20:30 deri në orën 06:00, duke filluar nga data 24 dhjetor deri në datën 4 janar, duke përjashtuar shërbimin në banesë, pra, atë delivery”, tha Manastirliu në daljen e saj për mediat pas vendimit të marrë.
Por prej sot, orët policore apo kufizimi në lëvizje zhvendoset sërish kur akrepat të kenë shënuar 22:00. Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme. Personat që lëvizin për arsye pune apo arsye të domosdoshme pajisen me autorizim përmes portalit e-albania. Këto masa, siç është bërë e qartë edhe nga ministria, do të jenë në varësi edhe të situatës. Përgjatë kësaj periudhe, shifrat ditore të të infektuarve kanë ardhur në rënie, por nëse do të ketë sërish shtim të rasteve pozitive me COVID-19, atëherë do të rivendosen sërish masat kufizuese.
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për “Business Insider Polonia”, ku ka folur shkurt për ekonominë e vendit dhe pandeminë e coronavirusit.
Rama është shprehur hapur se një valë e dytë e pandemisë do të dëmtonte shumë vendin tonë, ndaj qeveria kishte nisur që të merrte masa lidhur me shmangien e një karantine tjerër.
ARTIKULLI I PLOTË
“Bllokimi i dytë do të na vrasë. Prandaj, ne kemi vendosur kufizime shtesë. Duhen veshur maska dhe të mbrojmë veten dhe të tjerët jo vetëm brenda, por edhe jashtë. Unë e kuptoj që ju keni një problem të ngjashëm në Poloni,”– thotë Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë në një intervistë për Business Insider Polska. Sidoqoftë, shoqëria shqiptare qartë po reziston deri më tani.
Shqipëria, një vend i vogël midis Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë dhe Greqisë është në prag të zgjedhjeve parlamentare. Për gjashtë muaj, do të zbulojmë nëse socialistët do të mbajnë pushtetin apo demokratët do të rikthen. Ne takohemi me kryeministrin Edi Rama dy herë. Fillimisht në hapjen e qendrës moderne TUMO. Herën e dytë gjatë hapjes së degës shqiptare të ndërmarrjes polake Software Development Academy, e cila ofron kurse programimi për njerëzit që duan të ndryshojnë karrierën e tyre.
“Përshëndetni sipërmarrësit polakë. Ne i ftojmë me krahëhapur,”– na thotë Kryeministri Edi Rama. Ne e pyesim atë për bllokimin dhe politikën COVID-19. Shqipëria, megjithëse nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, ka vite që tërheq mijëra polakë që duan të pushojnë në Detin Mesdhe. Fatkeqësisht, edhe turizmi vuajti shumë nga pandemia. Të ardhurat nga turizmi kanë rënë me 7.5 përqind, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.
E gjithë kjo ndodh në një periudhë të rritjes së infeksioneve nga koronavirusi. Në 3 milion banorë që ka Shqipëria, 17,055 janë të infektuar dhe numri i viktimave të koronavirusit është rritur në 451. Zona më problematike mbetet kryeqyteti, Tirana.
“Nga mesi i kësaj jave (po flasim të mërkurën, 14 tetor), ne do prezantojmë detyrimin për të mbajtur maskën edhe jashtë. Është shumë e rëndësishme. Bllokimi i dytë do të na vrasë. Do të jetë shkatërruese për familjet tona dhe për ekonominë në tërësi. Ne duam ta shmangim atë, por kjo do të varet kryesisht nga fakti nëse shoqëria jonë do ta përmbushë këtë kërkesë,”– argumenton Edi Rama.
Por shqiptarët duket se kanë një qëndrim joserioz ndaj kufizimeve të reja të deritanishme. Mjafton të ecësh rrugëve të Tiranës për të parë që shumica e kalimtarëve nuk mbajnë maska, dhe vetëm disa pajtohen me thirrjen e kryeministrit.
Kjo reflektohet edhe në statistikat zyrtare. Vetëm në tre ditët e fundit, rreth 1000 gjoba janë shpërndarë për njerëzit pa maska. Shumë shqiptarë nuk dëshironin të tregonin kartat e tyre të identitetit dhe u dërguan në stacionin e policisë. Aksioni i Policisë së Shtetit u krye kryesisht në transportin publik.
“Ne duhet të luftojmë rrezikun e një vale tjetër të intensifikuar të koronavirusit. Unë e di që shoqëria shqiptare dhe polake do të mbijetojnë dhe do të dalin më të forta nga kjo krizë,”-e mbylli intervistën e tij Rama.
Baret e restorantet ishin të mbyllura për gati tre muaj, nga mesi i marsit deri në mesin e muajt maj, duke i detyruar shqiptarët të heqin dorë nga një ritual i përditshëm. Teksa karantina detyroi shumëkënd që të rrinte në shtëpi, edhe shpenzimet për bare e restorante ranë në mënyrë drastike.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, indeksi i volumit të shitjeve të aktivitetit “Bar-restorante” ra me 55% në tremujorin e dytë, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s. Nw tremujorin e dytw 2019, ky indeks ishte rritur rreth 4% me bazë vjetore.
INSTAT raporton se mesatarisht, aktiviteti i bareve e restoranteve qarkullon rreth 375-390 milionë euro në vit, sipas të ardhurave gjithsej raportuar në Anketën Strukturore të Ndërmarrjeve 2018 dhe volumit të rritjes prej rreth 4% në 2019-n. Mesatarisht çdo tremujor, shqiptarët shpenzojnë në kohë normale në bare e restorante rreth 95-97 milionë euro. Ndërsa në tremujorin e dytë 2020, në kulmin e karantinës rezulton të jetë shpenzuar 55% më pak, ose rreth 54 milionë euro më pak për ritualin e përditshëm të kafesë, ose konsumit të pijeve e produkteve ushqimore npër restorante.
Mbyllja e bareve dhe restoranteve ndikoi negativisht dhe në punësim. Sipas të dhënave të INSTAT shkurtimet më të mëdha nga puna janë aplikuar nga sektori i bareve dhe restoranteve ku raportohet rënie e indeksit të punësimit me 31.8%, e pasuar nga hotelet me -20.2% dhe fabrikat me -12.8%. në sektorin e akomodimit ushqimor (ku përfshihen baret e restorantet )ishin të punësuar rreth 50 mijë punonjës. Një rënie me rreth 32% e punësimit ka nxjerrë përkohësisht nga tregu i punës rreth 16 mijë persona.
Kafete e restorantet përbëjnë 16% tëtotalit të ndërmarrjeve në ekonomi.
Konsumi në bare e restorante
Sipas INSTAT, i cili publikon konsumin final -të familjeve sipas grupeve kryesore, në 2018-n, viti i fundit kur janë në dispozicion të dhënat, shpenzimet totale për grupin e bare restorante e hotele ishin 47.8 miliardë lekë, ose rreth 385 milionë euro, duke shënuar një nivel rekord dhe duke u rritur me 11% në raport me vitin e mëparshëm .
Shpenzimet për kafe, restorante e hotele përbëjnë 3.7% të konsumit gjithsej. Shqiptarët shpenzojnë për kafe e restorante e hotele, më shumë sesa për arsimin, apo për pije e duhan, sipas INSTAT.
Në raport me popullsinë, Shqipëria numëron 518 bare për çdo 100 mijë banorë, duke kapur rekord jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Ndërsa lë shumë pas vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, bazuar në të dhënat e Eurostat mbi numrin e aktiviteteve të shërbimit të pijeve dhe numrit të popullsisë, numri i bareve në Bashkimin Europian në vitin 2017 nuk ishte më i lartë se 115 bare për çdo 100 mijë banorë.
Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero tregon nëse ekziston ndonjë mundësi që Shqipëria të futet në një karantinë të dytë gjatë dimrit, për shkak të koronavirusit. Ai beson se kjo gjë nuk do ndodhë dhe është shumë kundër.
“Nga komunikimi që kam pasur me specialistët italianë që erdhën për të na trajnuar ose për të shkëmbyer eksperiencë, e kemi diskutuar këtë problem eksperti, specialisti dhe politikani dhe më thanë që edhe tek ne, vendimet i merr politikani. Natyrisht vendimet politika duhet t’i marrë, por specialistët duhen dëgjuar më shumë.
Unë kam qenë dhe do të jem kundër një mbyllje të dytë, kundër një karantinimi të dytë, edhe pse situata të veçanta jo të zakonshme nëpër qarqe, rajone apo qytete të ndryshme mund të jenë jashtë të mundurës, por unë jam kundër mbylljes. Unë nuk e quaj zgjidhje dhe do jem kundër saj deri sa kohë të pyetem, apo të mund të flas. Nuk është një zgjidhje afatgjatë.
Unë nuk besoj se do të shikohet një karantinim apo një mbyllje e dytë si zgjidhje dhe nuk e besoj të ndodhë.
Shtete të mëdha mund ta aplikojnë në qarqe apo zona, por neve jemi një vend shumë i vogël”, tha Pipero në emisionin “Zonë e Lirë”.
Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, duke iu referuar kthimit të kufizimeve, pak më pak se dy muaj nga heqja e tyre në fund të majit, ka një pyetje direkte për Komitetin e Eksperteve: A do të kemi sërish karantinë?
Me një shënim të gjatë në faqen e tij në Facebook duke analizuar tre komponentët e rëndësishëm, testet pozitve, rastet ditore dhe vdekjet ditore, ai thekson: Kufizimet rikthehen në kushtet kur numri mesatar i rasteve është rritur mbi 6 herë, ai i vdekjeve mbi 8 herë dhe përqindja e personave që testojnë pozitivë ka arritur 25%, pra një në katër persona të testuar rezulton pozitiv për SARS-CoV-2.
“Fillimisht u mbyllën pishinat, tashmë baret dhe muzika dhe nuk do të jetë çudi sikur dita e re të sjellë një kufizim të ri”- shkruan ai.
Postimi nga Erion Dasho
A DO TË KEMI SËRISH KARANTINË?!
Kufizimet rikthehen pas më pak se dy muajsh nga heqja e tyre në fund të muajit maj.
Kufizimet u hoqën në kushtet kur numri mesatar i rasteve ishte 13 në ditë, ai i vdekjeve 0.4 në ditë dhe përqindja e personave që testonin pozitivë ishte më pak se 8%.
Rikthehen në kushtet kur numri mesatar i rasteve është rritur mbi 6 herë, ai i vdekjeve mbi 8 herë dhe përqindja e personave që testojnë pozitivë ka arritur 25%, pra një në katër persona të testuar rezulton pozitiv për SARS-CoV-2.
Fillimisht u mbyllën pishinat, tashmë baret dhe muzika dhe nuk do të jetë çudi sikur dita e re të sjellë një kufizim të ri.
SI U ARRIT NË KËTË PIKË?
Tashmë çdokush e ka kuptuar se mungon strategjia për menaxhimin e situatës dhe autoritetet shëndetësore e kanë humbur kontrollin mbi epideminë.
Trinomi Testo-Gjurmo-Trajto nuk funksionon duke filluar nga elementi i parë – testimi. Shqipëria vazhdon të jetë vendi i fundit në Europë nga numri i testimeve, duke patur ditë të caktuara kur numri i tyre ka qënë më i ulët se ditët e majit (267 teste tamponi të kryera në 19 korrik).
Komponenti parandalues ka dështuar në spitale, administratë dhe biznese dhe pasi epidemia u “maturua” në këto vatra (sipas OBSH-së), ka arritur në transmetim komunitar (sipas Komitetit të Ekspertëve).
Autoritetet shëndetësore kanë përballë një publik i cili ka humbur besimin dhe e ndjen veten të tradhëtuar. Publiku e kuptoi se sakrifikoi dy muaj e gjysmë karantinë për të fituar më pak se dy muaj liri.
Biznesi është në kaos, sidomos ajo pjesë e biznesit të lulëzon gjatë verës dhe siguron gati një të pestën e GDP-së – turizmi.
Sot turizmi nuk është luks. Ai është relaks për shëndetin mendor dhe mundësi për të përmirësuar shëndetin fizik dhe social aq të dëmtuar gjatë karantinës.
Më shumë se katër muaj kanë kaluar nga diagnostikimi i rastit të parë me covid në shqipëri dhe vendi e gjen veten të izoluar nga komuniteti ndërkombëtar dhe në prag të ashpërsimit të masave kufizuese brenda vendit.
Nga tre treguesit e përcaktuar nga ministria e shëndetësisë dhe komiteti i ekspertëve, njëri ka një muaj që është plotësuar – mesatarja ditore e numrit të rasteve tashmë e kalon 25 duke arritur gjatë korrikut në mesatarisht 84.
Shumë shpejt mund të plotësohen edhe dy kriteret e tjerë – numri i personave të shtruar mund të kalojë 150 dhe ai i personave të shtruar në reanimacion mund të kalojë 25.
Sipas Komitetit të Ekspertëve mjaftonte të plotësohej një nga këto kushte për t’ju rikthyer kufizimeve. me këto tendenca që shohim sot, për pak ditë mund të plotësohen jo një por të tre kushtet e alarmit.
Sot shqiptarët e kanë kuptuar se “vizioni” i autoriteteve shëndetësore për të kontrolluar covid-in arrin deri tek karantina. komiteti i ekspertëve është treguar thellësisht i paaftë të ndërmarrë masa inteligjente dhe strategjike!
Pyetja e natyrshme që kanë gjithë shqiptarët për autoritetet shëndetësore dhe komitetin e ekspertëve është:
Në 2 javët e fundit në Kosovë shifrat e të infektuarve me koronavirus janë rritur ndjeshëm, duke patur çdo ditë më shumë se 100 persona të infektuar, ndërsa ka patur edhe një numër të madh humbje jetësh.
Shqetësimi për shpërthimin e një vale të dytë infektimesh ka bërë që kryeministri Hoti ditën e sotme të marrë masa drastike, duke vendosur disa qytete sërish në karantinë.
Në qytetet Prishtinë, Prizren, Ferizaj e Vushtrri do të kufizohet lëvizja e lirë.
“Në Qytete ku ka numër të madh nga sonte në Pristinë, Prizren Ferizaj e Vushtrri do të kufizojmë lëvizjen e qytetarëve nga ora 21 deri në 5″, ka thënë Hoti.
Gjithashtu edhe lokalet dhe restorantet në të gjithë Kosovën do të mbyllen nga ora 21:00 deri në orën 05:00.
“Lokalet e gastronomisë mbyllen nga ora 21:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit. Do të funksionojnë vetëm Take Aëay”, theksoi Hoti.
Ai ka thënë se gjithashtu do të reduktohen punëtoret e institucioneve, dhe do të punohet vetëm me staf esencial. Sipas rregullores Hoti ka thënë se do të përcaktohet se çfarë do të nënkuptohet me staf esencial.
Hoti u shpreh se edhe në institucionet shëndetësore do të reduktohen shërbimet jo-esenciale.
“Do të reduktojmë numrin e të punësuarve në institucione vetëm në staf të domosdoshëm. Në institucione shëndetësore, do të reduktohen të gjitha shërbimet që janë jo-esecenciale që presin”, është shprehur ai.
Gjithashtu ka treguar se edhe numri i njerëzve që do të shfrytëzojnë trafikun urban do të përgjysmohet.