Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: dw

  • DW: Gjendje kritike në Shqipëri, dyfishohen rastet e reja

    DW: Gjendje kritike në Shqipëri, dyfishohen rastet e reja

    Situata e pandemisë në Shqipëri po i afrohet vijës së kuqe. Autoritetet shëndetësore sapo e kanë quajtur atë “situatë kritike, por nën kontroll”.

    Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha në një konferencë për shtyp të dielën, (15.11) se rastet e reja, të infektuara me virusin vdekjeprurës në 24 orët e fundit “janë dyfishuar”. Ato arritën një rekord të ri prej 593 vetësh dhe numri i viktimave u rrit në 11 syresh në 24 orët e fundit, kryesisht qytetarë në moshën nga 53 – 82 vjeꞔ.

    Dyfishimi i rasteve të reja në 24 orët e fundit ndjek trendin e një grafiku të qëndrueshëm vetëm në rritje të infeksionit Corona, në këtë muaj të fundit të vjeshtës, në prag të dimrit, kur moti po vjen duke u ftohur. “Situata është delikate dhe kritike, pasi rezultojnë dy herë më shumë raste të reja në 24 orë në krahasim me një muaj më parë por mbetet nën kontroll” theksoi Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu.

    Shifra shqetësuese, por nën mesataren e rajonit.

    Shifrat zyrtare të dhëna nga autoritetet e shëndetësisë parathonë kohë të vështira për Shqipërinë. Sipas tyre në dy spitalet anti-Covid në Tiranë, Spitali Infektiv në Qëndrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Sanatoriumin ” Shefqet Ndroqi” numri i të shtruarve ka arritur në 393 vetë, në gjithë vendin ka 27.830 raste pozitive nga të cilat 14.381, – më shumë se gjysma- janë raste aktive. Numri total i viktimave, që nga fillimi i epidemisë arriti të dielën në 623 vetë,

    Vatrat e infeksionit po rriten dhe deri tani janë 263 në të gjithë vendin nga të cilat 224 familjare. Megjithatë autoritetet e cilësojnë këtë situatë nën mesataren e rajonit. “Shqipëria ka 901 raste pozitive për 100 mijë banorë. Krahasuar me mesataren e rajonit, me 1454 të prekur për 100 mijë banorë, situata paraqitet nën këtë mesatare. Lidhur me fatalitetet, për 1 milionë banorë, Shqipëria ka 20.6 humbje jete, kundrejt 31.6 që është mesatarja në rajon dhe 48.8 ajo në BE”, theksoi Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu.

    Strategjia: jo testime në masë, hapja e spitaleve rajonale

    Afrimi i dimrit parathotë shtim të mëtejshëm të rasteve pozitive. Opozita e sheh situatën aktuale të dyfishimit të rasteve ditore si “katastrofike” dhe kërkon me këmbëngulje nga qeveria të bëjë testime në masë. Por strategjia e qeverisë është “rritje e testimeve në varësi me ecurinë e pandemisë dhe hapja e spitaleve rajonale anti-Covid”.

    Sipas shifrave të autoriteteve shëndetësore numri total i testimeve në qershor, pas daljes ga karantina tre mujore, ishte 8883. Vetëm në 2 javët e para të këtij muaji janë kryer 35.428 testime, nga të cilat 24.048 në sistemin shëndetësor publik dhe 11.380 në atë jo publik. “Jemi gati dhe po përcaktojmë stafet për spitalet rajonale anti-Covid-19. Kur të mos mjaftojnë më kapacitetet e spitaleve anti-covid në Tiranë kemi pavione të dedikuara në Vlorë, Durrës, Elbasan, Korçë dhe Shkodër. Një skenar tjetër janë spitalet e Lezhës, Beratit dhe Fierit. Skenari i fundit për të cilin jemi përgatitur përfshin spitalet e Dibrës, Kukësit dhe Gjirokastrës” informoi ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu.

    Shqipëria hyri të mërkurën e kaluar, (11.11) në izolim të pjesshëm për shkak të rritjes së lartë të numrit të infektimeve dhe ndaloi qarkullimin e automjeteve dhe qytetarëve nga ora 22.00 e mbrëmjes deri në orën 6.00 të mëngjesit. Kryeministri Rama bëri me dije ditët e fundit se nuk do të ketë një izolim / karantinë të plotë si ajo e tre muajve të parë, të prekjes së Shqpërisë nga pandemia Corona, Mars – Maj të këtij viti.

    Sipas të dhënave të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë deri dje, (15.11) numri total i të infektuarve në botë është 53 milionë 767 mijë, i viktimave 1 milionë e 309 mijë. Për popullsinë prej 2,8 milion banorësh të Shqipërisë, numri i të infektuarve dhe i viktimave konsiderohet jo i vogël.

    Burimi: DW

  • DW: Daniel Serwer thotë se proceset në Hagë janë për përgjegjësi individuale

    DW: Daniel Serwer thotë se proceset në Hagë janë për përgjegjësi individuale

    DW

    Në një prononcim për DW, eksperti nga SHBA për çështje ndërkombëtare dhe njohës i Ballkanit, Daniel Server, nënvizon, se edhe me ndryshimin në Shtëpinë e Bardhë, përsëri marrëveshja ekonomike Prishtinë-Beograd qëndron.   

    Me zgjedhjen e Joe Bidenit si President në SHBA mund të ndryshojë edhe qasja e Shtëpisë së Bardhë ndaj Ballkanit. Nëse kjo mund të influencojë edhe ndaj marrëveshjes së shtatorit në Uashington mes Prishtinës dhe Beogradit, prof. Daniel Serwer thekson, se “Marrëveshja qëndron, megjithëse nuk do të ketë ndonjë domethënie të madhe edhe nëse ajo zbatohet. Marrëveshja nuk e detyron SHBA për asgjë, dhe deri tani unë nuk kam dëgjuar asgjë lidhur me zbatimin e saj nga Prishtina dhe Beogradi.

    Me hapjen e proceseve ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale në Hagë dhe impaktit që ato mund të kenë në Kosovë, Daniel Serwer thotë, se “ne duhet ta kuptojmë që procesi zhvillohet kundër përgjegjësisë individuale të personave, jo me përgjegjësi kolektive. Shqetësimi është se ai po zhvillohet vetëm në njërin drejtim, sepse Dhomave të Specializuara u mungon juridiksioni të merren me autorët serbë të krimeve dhe Serbia ka dështuar në vënien e tyre në bankën e të akuzuarve. Kjo është për të ardhur keq”.

  • “Virusi është të paktën katër herë më i rrezikshëm se gripi sezonal”/ Virologu gjerman rrëzon teoritë konspirative

    “Virusi është të paktën katër herë më i rrezikshëm se gripi sezonal”/ Virologu gjerman rrëzon teoritë konspirative

    Çfarë mendon një nga ekspertët më të njohur gjermanë për Coronën për teoritë e çuditshme konspirative dhe tezat e teoricienëve konspirativë dhe kundërshtarëve të vaksinës?

    Virusi nuk është aspak i rrezikshëm! Industria farmaceutike dëshiron të fitojë me pandeminë. Të rinjve nuk u ndodh asgjë! Në demonstratat e Coronës, në biseda apo internet ndesh rregullisht teza të tilla, herë nga më të çuditshmet, herë teza që duken të kuptueshme të paraqitura nga teoricienë konspirativë, apo ata që mendojnë kundër dhe kundërshtarët e vaksinës. Një nga ekspertët më të njohur gjermanë, profesori Hendrik Streeck, drejtori i Institutit të Virologjisë në Universitetin e Bonnit flet për Deutsche Wellen lidhur me këto teza:

    “Virusi nuk është aq i rrezikshëm, rreziku ekzagjerohet nga mediat, politikanët, dhe studiuesit.”

    Hendrik Streeck: Kjo nuk është e vërtetë. Të gjitha studimet e bëra deri më tani, si ato në SHBA, që flasin për një vdekshmëri relativisht të ulët, por edhe të tjerat që theksojnë vdekshmërinë e lartë, tregojnë qartë, se virusi ka një vdekshmëri më të lartë se një grip sezonal.

    Ne kemi zbuluar në qarkun Heinsberg, (ku është zhvilluar një nga studimet e para në fillim të pandemisë, shën.red.) se virusi është të paktën katër herë më i rrezikshëm se gripi sezonal. Kjo sigurisht ka të bëjë gjithmonë edhe me shtresat e popullsisë, ku testohet. Por ky është një virus, që duhet marrë seriozisht, natyrisht as nuk duhet dramatizuar

    “Politikanët dhe mediat prezantojnë gjithmonë raste dramatike të përditshme të Coronës. Por unë nuk njoh askënd që ështës sëmurur nga COVID-19.”

    Hendrik Streeck: Të them, që unë kam dy persona në rrethin e ngushtë familjar që janë sëmurur nga COVID-19.

    “Në Itali apo SHBA ka kaq shumë të vdekur. Këtu nuk ka. Sikur nuk shkon diçka. “

    Hendrick Streeck: Ne kemi edhe në Gjermani të vdekur nga COVID-19. Në Itali dhe SHBA i shtohet fakti, që infektimet u zhvilluan shumë shpejt. Pra një masë e gjerë në popullsi është infektuar shumë shpejt, dhe kjo pati si pasojë mbingarkesën e spitaleve. Virusi ka depërtuar aty në shtresa, ku pacientët apo njerëzit kanë një rrezik më të madh të humbasin jetën prej tij. Në Gjermani ne ia kemi dalë t’i mbajmë të mbrojtura këto shtresa.

    “Ka pasur kaq shumë demonstrata të mëdha kundër Coronës. A ka pasur edhe shpërthime të mëdha infektimi pas tyre? Jo!”

    Hendrik Streeck: Këto demonstrata janë zhvilluar njëherë jashtë, dhe këtu rreziku i depërtimit të virusit është më i vogël se në hapësira të mbyllura. Nga ana tjetër është shumë e vështirë të dish, nëse në një demonstratë të zhvilluar në Berlin për shembull, dhe nga ku shumë pjesëmarrës janë kthyer në qytete të ndryshme, ka pasur shpërthime infektimesh. Kjo mund të provohet më me lehtësi, nëse pjesëmarrësit vijnë nga një vend.

    Vaksinat janë shumë të rrezikshme dhe sulmojnë ADN-në tonë. Përveç kësaj këtu do të fitojë industria farmaceutike.”

    Hendrik Streeck: Të dyja tezat janë tërësisht të gabuara. Një vaksinë nuk e ndikon genomin njerëzor, pra ADN-në. Elementët vaksinues RNA funksionojnë të tillë, që prej tyre gjenerohen proteina. Ne nuk i kemi encymet në trupin tonë që nga RNA të bëhet sërish ADN. Këtë mund ta bëjnë vetëm disa retroviruse. Prandaj një vaksinë nuk e prek ADN-në.

    Industria farmaceutike sigurisht fiton para me vaksina, por ajo që sigurimet shëndetësore shpenzojnën për vaksinat në vit është vetëm 0,3% e buxhetit në krahasim me atë që ne shpenzojmë për ilaçe të tjera. Buxheti për një vaksinë është vërtet shumë i vogël. Përveç kësaj industria farmaceutike duhet të fitojë nga kjo, sepse pa këto para nuk mund të ecet përpara me studimet e tjera zhvilluese.

    “Virusi është transformuar kaq shumë, saqë nuk sjell gjë ndonjë vaksinë. Ose duhet të vaksinohesh çdo vit si me gripin.”

    Hendrik Streeck: Këtë nuk mund ta thuash me siguri. Virusi ndryshon, po, por nuk e ka atë mutacion të lartë si tek gripi. Nëse një vaksinë në fund do të ketë vërtet efekt, dhe sa shpesh duhet të vaksinohesh, këtë nuk mund ta themi me saktësi tani, sepse ende nuk kemi një vaksinë.

    “Masat e regjimit të Coronës janë tërësisht të ekzagjeruara. Unë dua sërish lirinë time.”

    Henrik Streeck: Ne e dimë që tre rregullat kryesore: distancë, maskë dhe higjiena e përgjithshme kanë efekt, dhe me këtë mund të ndalohen infektime të tjera. Përveç kësaj këto rregulla me gjasë kanë edhe efektin, që nëse dikush infektohet, infektohet me më pak viruse. Ai ndoshta mund të sëmuret, por me më pak simptona. Ne e dimë nga viruse të tjera se ka një lidhje: Nëse merr sasi të madhe virusi, simptomat janë më të rënda, nëse merr më pak, atëherë ato janë më të lehta. Doza bën helmin në këtë rast.

    Me distancën dhe maskën arrijmë atë, që kjo dozë të bjerë dhe të gjithë ndihmojmë që të ndoshta të kemi shumë më tepër raste me zhvillim të butë të sëmundjes.

    “Virusi Corona rrjedh prej një laboratori kinez dhe doli gabimisht nga laboratori.”

    Henrik Streeck: Ka shumë pak gjasa që ky virus të jetë prodhuar në një laborator. Me sa di unë, degë të tilla hulumtimesh për prodhimin e viruseve të caktuara nuk ndiqen më, sepse kjo është shumë e rrezikshme. Nga ana tjetër as nuk mund ta thuash se nga vjen një vírus. Një vírus nuk ka sekuenca gjenetike, që nuk i gjen si të tilla edhe në natyrë.

    Po ashtu duhet thënë, se laboratorë të tillë, si ai në Kinë janë sektorë të sigurisë së lartë, ku viruset dhe bakteret nuk kalojnë aspak në hapësira të tjera dhe kështu nuk dalin gabimisht jashtë tyre. Për mua është gati e pamundur, që të ketë ndodhur diçka e tillë, por këtë natyrisht nuk mund ta vërtetosh. Ashtu si nuk mund të vërtetosh të kundërtën.

    “Edhe nëse unë infektohem – unë jam i ri dhe me shëndet të mirë. Nëse ndodh, atëherë kam vetëm simptoma të pakta.”

    Henrik Streeck: Sipas statistikës është e drejtë që të rinjtë dhe njerëz me shëndet të mirë kanë pas ose aspak simptoma. Vetëm nëse bazohesh tek statistika pra ke të drejtë. Por gjithmonë mund të ndodhë, që edhe të rinj e me shëndet të mirë mund të kenë simptoma të rënda, ose madje edhe të vdesin. Këtë e kanë treguar disa raste në të shkuarën.

    Burimi:DW