Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: Aktakuza

  • Sot paraqitja e parë e Veselit para Speciales

    Sot paraqitja e parë e Veselit para Speciales

    Sot në orën 15:00, do të mbahet paraqitja e parë e Kadri Veselit në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

    Aktakuza kundër Kadri Veselit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor 2020 dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

    Aktakuza e ngarkon Kadri Veselin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale, thuhet në njoftim.

    Paraqitja e parë e Kadri Veselit do të mbahet në seancë publike.

    Paraqitja e parë mund të përcillet përmes transmetimit në internet me një vonesë të shkurtër në https://www.scp-ks.org/sq/transmetim.

    Gjithashtu, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Burimi: Telegrafi

  • Vazhdon edhe sot intervistimi i Thaçit në Hagë

    Vazhdon edhe sot intervistimi i Thaçit në Hagë

    Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi edhe gjatë ditës së sotme do të intervistohet nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

    Ai për tre ditë rresht është intervistuar nga 6 orë, teksa të martën dhe të mërkurën nuk u prononcua për media.

    Thaçi është paraqitur në Hagë me ftesë të Prokurorit të Specializuar.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar muajin e kaluar se më 24 prill ka propozuar një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

    Pas intervistimit të hënën, në ditën e parë, Thaçi ka thënë se është diskutuar për “çështje sqaruese, teknike” dhe për interesimin e prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

    Të martën, Thaçi nuk është deklaruar për media.

    Aktakuza e paraqitur ka kaluar tani në duart e gjykatësit të procedurës paraprake, i cili ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për ta konfirmuar ose hedhur poshtë.

    Thaçi ka thënë më herët se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

  • Flasin qytetarët për aktakuzën e Speciales: Asnjë ushtar i UÇK-së nuk ka kryer krime ndaj civilëve serbë

    Pas ngritjes së aktakuzës kundër presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, nga zyra e Prokurorit të Specializuar, disa qytetarë të Republikës së Kosovës kanë thënë se Gjykata Speciale është e padrejtë dhe se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është e pastër.

    Qytetari Skender Musa, në një prononcim për “Telegrafin” ka thënë se asnjë pjesëtar i UÇK-së, i cili ka pas uniformë nuk ka kryer krime ndaj civilëve serbë.

    “Kjo gjykatë nëse punon drejt do ta pastrojë luftën e pastër të UÇK-së, sepse është tejet e sigurt që asnjë ushtar i UÇK-së që ka pas uniformë nuk ka kryer krime ndaj civilëve serbë. Ka qenë e vetmja ushtri guerile që e ka respektuar me përpikëri Konventën Ndërkombëtare të Luftës”, ka thënë Musa.

    Edhe Qazim Fazlia, thotë se kjo gjykatë është e padrejtë, siç tha ai kur dihet për krimet serbe në Kosovë.

    “Kjo gjykatë është e padrejtë, për arsye se gjykon vetëm pjesëtarët e UÇK-së, kur dihet se Serbia çfarë krimesh ka bërë në Kosovë. Prandaj për mu është lajm i keq”, u shpreh Fazlia.

    Në të njëjtin mendim është edhe qytetari Ermal Emini, i cili theksoi se aktakuzat e Prokurorisë Speciale janë shumë të rënda.

    “Aktakuzat janë shumë të rënda, ishalla nuk janë të vërteta dhe lufta del e pastër”, tha ndër të tjera Emini.

    Ndryshe, të mërkurën Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër presidentit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Pas kësaj, presidenti Thaçi dhe kryeministri Hoti kanë anuluar vizitën në Washington, ku pritej të rifillonte dialogu me Serbinë.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

  • Krime lufte/ Prokuroria e Hagës ngre aktakuza ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit

    Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, njoftoi sot se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.

    Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara; shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

    Aktakuzat i janë dërguat gjykatës speciale për t’u shqyrtuar.

    Sipas njoftimit të zyrës së prokurorit, aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e prokurorit të specializuar se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat, thuhet në njoftim.

    Prokurori i Specializuar shton me tej se e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të zotit Thaçi dhe Veseli për pengimin dhe sabotimin e punës së Gjykatës së Posaçme. Sipas kësaj gjykate, besohet se zoti Thaçi dhe zoti Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’iu shmangur drejtësisë.

    E kontaktuar nga Zëri i Amerikës, zyra e presidentit të Kosovës, tha se nuk komenton njoftimin e zyrës së prokurorit. Presidenti Thaçi, thanë në zyrën e tij, tashmë është rrugës për në Shtetet e Bashkuara ku do të shtunën në Shtëpinë e Bardhë do të mbahet një raund bisedimesh Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga i dërguari amerikan Richard Grenell.

    Më 28 prill të këtij vitit Prokuroria e Posaçme, tha se tashmë kryetarja e Dhomave të Specializuara, emër më të cilin njihet Gjykata e Posaçme, ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake që do të shqyrtojë një aktakuzë të prokurorisë.

    Në njoftimin e asaj dite u tha se “përmbajtja e aktakuzës është konfidenciale, përveçse kur konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”.

    Me 24 shkurt të këtij viti Prokuroria e Posaçme paralajmëroi fillimin e ngritjes së akuzave.

    Gjykata e Posaçme e cila me emrin dhomat e specializuara vepron në Hagë, u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës.

    Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

    Hetimet sikurse e dhe ngritja e gjykatës kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

    Mbi 200 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019.

    Në korrik të vitit 2019 në prokurorinë e posaçme u thirr edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme./VOA/