Florjan Përgjoni mund të ketë ditët e fundit te Tirana, pasi për lojtarin ka interesime nga Azerbajxhani, Turqia, Lindja e Mesme dhe Dinamo. Pikërisht kjo e fundit bëhet me dije nga shtypi i shkruar se ka bërë ofertë zyrtare për mbrojtësin e majtë të bardhebluve.
Përgjoni pëlqehet nga trajneri Di Biagio, me këtë të fundit që e shikon të domosdoshëm për formacionin e “Nëndetëses” në këtë sezon dhe ka kërkuar shërbimet e tij. Nga krahu tjetër Tirana do të mund të linte të lirë lojtarin për një arsye të thjeshtë.
Në këmbim nga Dinamo kërkon portierin Edmir Sali. Transferimi i Bekim Rexhepit te Blutë ka ulur ndjeshëm minutat për Salin, i cili sezonin e kaluar e mbylli si titullar me Kastriotin. Nga ana tjetër te bardhebluë duan një zëvendësues për Gentian Selamnin, i cili është dëmtuar dhe do të mungojë gjatë. Në këto kushte Sali do të ishte një alternativë e duhur për t’i besuar portën në këtë sezon.