E pësoi edhe Laçi, i dorëzuar në Kukës Arena 1-0 përballë vendasve. E nuk ishte për më tepër një sukses rastësor, por një ndeshje e dominuar dhe që mund të kishte dhe rezultat më të rrumbullakosur. E tani bëhen 10, pikët e fituar nga Stavri Nica në vetëm 6 javë në total në pankinë.
Të fituar nga Nica, sepse ndryshimi radikal erdhi pikërisht kur veterani i pankinave u shkarkua nga Laçi dhe mori drejtimin e Kukësit, që kishte zero pikë pas tre javëve të para. Nga aty tre fitore, një barazim e dy humbje, por për të plotësuar konceptin dorëzimet erdhën vetëm kundër dy pretendentëve të mëdhenj për titull Tiranës e Partizanit. Për më tepër ajo kundër Tiranës në debutimin e tij me vetëm tre ditë në pankinë dhe në Arenën e Demave pasi frikësoi Partizanin me një 4-3 spektakolar.
Ajo që ishte mbrojtja më e keqe e kampionatit dhe aktualisht është e dyta më e mundur me 16 gola në një fazë loje, me Nicën ka mbajtur portën të paprekur në tre ndeshje. Tregues i një situatë të ndryshuar dhe një skuadër që vërtetë tani është në zonën e rënies, por ka kapur trenin e shpëtimit dhe nëse sheh skuadrat që ka mundur (Skënderbeun, Erzenin dhe Laçin), duke i shtuar edhe barazimin në shtëpinë e Teutës, të gjithë janë të paralajmëruar…