Një ditë më parë në konferencën për shtyp kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri me dije se grupi që sulmoi Policinë e Kosovës ishte një formacion profesionist i armatosur rëndë.
Këtë gjë e ka pohuar dhe profesori i shkencave të sigurisë në Prishtinë, madje ka shtuar se formacioni imitonte grupin mercenar rus Wagner, ndërsa Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë hedh dyshime duke thënë se ky grup nuk mund të ketë vepruar pa dijeninë e autoriteteve serbe.
Islami ka deklaruar gjatë një interviste se grupi i armatosur, i cili sulmoi policinë në Banjskë, ishte një formacion i strukturuar dhe i përgatitur mirë.
Sipas tij, grupi nuk funksionoi si i izoluar dhe i vetorganizuar, por si një formacion me uniforma, me armatim specifik dhe i lidhur “me institucionet e sigurisë së Serbisë”.
“Uniformat e tilla i ngjajnë grupit [mercenar rus] Wagner. Duket se ky grup i strukturuar edhe ishte imitues i grupit Wagner”, thotë Islami duke iu referuar mercenarëve rusë që kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë dhe në zona të tjera konflikti.
“Armët e gjata, armët luftarake, të gjitha ato janë armë që përdoren në vijën e parë të frontit nga afërsia. Këto janë të mjaftueshme që të thuhet se ky grup terrorist, i lidhur me shtetin serb, ka kryer terrorizëm shtetëror në një territor të huaj”, thotë Islami.