Vendi i katërt është rrezikuar tashmë seriozisht pas humbjes direkte me Dinamon dhe fitoren e kryeqytetasve në ndeshjen e prapambetur me Teutën, që i ka vendosur kryeqytetasit +2 në renditje. Skënderbeu ka qenë direkt i interesuar, edhe pse është duke menduar për ndeshjen e tij të fundjavës kundër një tjetër kundërshtari direkt.
NDRYSHIMET NË FORMACION
Tekniku serb i bardhekuqve ka humbur të skualifikuar Kosta Vangjelin, por duhet të jetë i qetë sepse janë rikuperuar Shaqe dhe Peçani, që vijnë nga dëmtimi dhe ishin në pankinë në ndeshjen e humbur para pauzës për Kombëtaret. Në këtë pikë të vetmet ndryshime në formacionin titullar që Gvozdenovic do të rreshtojë kundër bardhebluve është zëvendësimi i detyruar i Vangjelit, vendin e të cilit në mbrojtje do ta marrë Gërço. Pastaj Shaqe që do të marrë vendin e tij si titullar në 4-3-3 e konsoliduar të Gvozdenovic.
TIRANA, ‘E PLAGOSUR’ NË KORÇË
Fakti që Tirana luajti gjysëmfinalen e Kupës, e mundur 2-0 nga Kukësi, mund të jetë një lloj avantazhi në freskinë fizike të skuadrave. Por sidoqoftë kohë për të rikuperuar energjitë ka, për më tepër që bardheblutë kanë dalë të dërrmuar nga sfida dhe tifozët presin një reagim. Skënderbeu duhet të bëjë kujdes, por pavarësisht kësaj Gvozdenovic nuk heq dorë nga sistemi ofensiv i të tijve, i njëjti megjithatë që e la në baltë kundër Dinamos.