Shefi i njohur i kuzhinës e ka shprehur në disa raste pakënaqësinë me situatën e krijuar prej pandemisë në vend, e sidomos me zgjatjen e masave të izolimit. Si pronar restoranti, ai është drejtpërdrejtë i prekur nga vendimi për shtyrjen e kufizimeve. Mungesa e mbështetjes nga shteti është gjithashtu një tjetër faktor që duket e ka shtyrë atë ta mendojë seriozisht vazhdimësinë e biznesit të vet këtu.
Ai duket po mendon për ta vazhduar pasionin e vet jashtë vendit, e më saktë, në SHBA.
Jemi në një situatë tragjike. Restorantet prej 3 muajsh nuk kanë punë. Ndihmë nga shteti nuk ka aspak, është një situatë kaosi. Vërtetë ne kemi një orar deri në orën 21:00, por atëherë dalin të gjithë njerëzit dhe janë të qetë për të shijuar ndonjë darkë. Po falimentojnë bizneset, jashtë kanë mbështet nga shteti këtu nuk ka asnjë lloj mbështetje. Kjo është qesharake. Në një kohë normale në kuzhinën time duhet të ishin 15 veta, tani janë 7 persona. Këtu çalon gjithçka se asnjëri nuk ka besim, ka dhe interesa personale dhe të gjithë nuk bëhen bashkë. Kjo situatë të bën që të dalësh nga vetja dhe të thuash se ky vend nuk është për të jetuar. Shikoj që nuk kam mbështetje nga shteti dhe njerëzit që na drejtojnë, situata është absurde. Do të largohem nga Shqipëria dhe ia kam vënë syrin Los Angeles. Dëshira ime është që të jap pasionin dhe dëshirën time dhe të ndjej që ajo që jap të më kthehet”, tha ai në një intervistë për “Ilva Now”.