Në 1-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, gazetari dhe komentatori i shquar i Radio Kosovës Milaim Krasniqi, është përkujtuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Gazetari Defrim Methasani organizoi një aktivitet në emër të tij, duke i plotësuar kështu një amanet përpara se të ndahej nga jeta: “O vlla mos më harroni e ju lutmi ma bani një trofe kur të mos jemë në këtë botë”, ishte pikërisht kjo fjali e fundit që bëri gazetarin të inicionte këtë projekt.
Gazetarë të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare fillimisht e kanë nderuar me kurora në vendin ku prehet Milaim Krasniqi, ndërsa më pas është bërë një vizitë pranë familjes së tij, duke ndarë kujtime dhe moment të kontributit të tij 20-vjeçar në gazetarinë sportive dhe urat e bashkëpunimit që vendosi mes gazetarëve në trojet shqiptare veçmas mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Më pas në Pallatin e Sportit të Rinisë në Prishtinë është luajtur një ndeshje simbolike mes gazetarëve të Shqipërisë dhe atyre të RTK-së për të diskutuar Kupën në emrin e tij. Skuadra e RTK-së fitoi 4-2 dhe meritoi trofeun, por të duket se aty ishin të gjithë fitues, pasi nderuan në mungesë një koleg dhe mik të paharruar që ishte një aset për të gjithë. Me medalje dhe dedike përkatëse është nderuar edhe familja e tij.