Kukësi shpreson që të jetë gati në startin e kampionatit, ku shorti i ka vënë përballë skuadrën e Vllaznisë, ndeshje që do ta luajnë në transfertë. Një përballje deri diku e vështirë, duke parë edhe revolucionin që po ndodh këtë sezon në kampin verilindor, i cili ka në përbërje kryesisht futbollistë të rinj. Megjithatë, ndeshjet e fundit miqësore kanë treguar se blutë po fitojnë stabilitetin pak e nga pak dhe Hallaçi ka besim se skuadra do të jetë plotësisht gati për të përballuar sezonin.
Pjesa që po shqetëson më shumë aktualisht ekipin e Kukësit janë dëmtimet e disa lojtarëve, të cilët janë në luftë me kohën për të qenë të gatshëm në masën 100%. Bëhet fjalë për plot tre lojtarë, të cilët aktualisht shihen si titullarë, ku tekniku beson tek aftësitë e tyre. Dëmtimin më të rëndë e ka mesfushori Françesko Hasaj, i cili pas një përplasjeje në miqësoren me Vorën për pak dëmtoi klavikulën, por ekzaminimet për fat të mirë treguan për një dëmtim më të lehtë.
Aktualisht po kryen stërvitje të veçuar, me shpresën se së shpejti do t’i bashkohet edhe grupit. Dy të tjerët janë Rashiti dhe Momoh, të cilët kanë dëmtime me të lehta, por gjithsesi nuk janë ende gati për të luajtur. Diçka që është vënë re edhe në miqësoret e fundit, pasi këta lojtarë nuk janë grumbulluar. Gjithsesi, gjasat janë që me startin e kampionatit të rikthehen në formë dhe të japin kontributin e tyre për ekipin.