Kryeministri Edi Rama, tha se është i kënaqur nga marrëveshja e arritur me opozitën parlamentare. Ai i bëri thirrje kryetarit të PD, Lulzim Basha, që nesër të mblidhet Këshilli Politik dhe të mos bëjë gabimet e të shkuarës, por të ulet në tryezë. Kryeministri Rama tha se “PD e morri datën se kur do të votohet 5 qershori” dhe tani të vijë të diskutojë ndryshime kushtetuese që diktojnë listat e hapura.
“Jam i kënaqur nga marrëveshja. Kemi përcaktuar datat për 5 qershorin më 23 korrik dhe kemi arritur dakordësinë për të votuar më 30 korrik që të hapen listat dhe ti japim mundësinë shqiptarëve të zgjedhin atë që duan, por dhe të vazhdojmë procesin gjithëpërfshirës së bashku me opozitën jashtëparlamentare ku do ishte mire të mblidhej Këshilli Politik. Dje hapën një debat politik, sot duhet të diskutojmë konkretisht, pasi opozita kërkonte datën e saktë se kur do të votohet 5 qershori. Ajo është 23 korriku. Nga ana tjetër kemi nevojë të bashkëpunojmë dhe ndërveprojmë edhe për mënyrën e reflektimit në ligjin zgjedhor ndryshimet kushtetuese që do sjellë 30 qershori”, tha Rama.
Lidhur me kundërshtinë e deputetit Myslim Murrizit për të votuar 5 qershorin, kryeministri Rama u shpreh se kjo solli një debat të fortë në mbledhje dhe shpreson që ai të ndryshojë mendim deri në fund.
“Kemi bërë goxha debat për këtë pikë, për 5 qershorin, duke qëndruar stoik dhe duke mos e njohur. Por dy krerët e grupe të tjera dhanë sinjale inkurajuese dhe besoj dhe se Murrizi të bashkohet në një konsensus të plotë. Sidoqoftë, kam bindjen që do ta kalojmë ligjin dhe do të sigurohen 84 votat. Marrëveshja e nënshkruar sot dhe ajo e 5 qershorit janë dokumente që nga në letër do të kthehen në materiale ligjore në 23 dhe 30 korrik”, tha Rama.
Kryeministri i bëri thirrje Bashës që të mos bëjë gabimet e së shkuarës, por të vazhdohet puna sëbashku, “pasi ka shumë mundësi që të biem dakord”.
“Koha është shumë e ngushtë. Duhet të shfrytëzojmë çdo minutë. Do t’i qëndrojmë marrëveshjes. Ndryshimet kushtetuese do të reflektohen në Kodin Zgjedhor. Do të mbyllet gjithçka brenda sezonit. Nisma e deputetëve të opozitës parlamentare që kërkonin listat, koalicionet, është modifikuar. Jemi afruar në mënyrë të kujdesshme duke i vendosur tavan jo më pak se 2/3. Përfitoj nga rasti, duke u nisur edhe nga mbledhja e djeshme, që ti bëj thirrje Bashës që të mos bëjë gabimet e së shkuarës, por të vazhdojmë punën sëbashku. Kemi shumë mundësi që të biem dakord. Nuk ka kërkuar ç’mund të kërkonte, duke parë interesin e ngushtë partiak. PD është realitet demokratik. Nuk mund të bëjmë sikur nuk ekziston. Jemi në rrugë shumë të mbarë. “Unë kam frikë që do humbas të nesërmen” është një këngë e vjetër e një gramafoni që rrotullohet. Edhe unë kam pasur momentet e mia të vështira, humbjet e mia, por kjo është politika. Nuk kam asnjë problem me çfarë thonë, por faktet flasin ndryshe. Kush i merr shqiptarët për budallenj e ha”, tha kryeministri Rama.