Boksierja Donjeta Sadiku ka vendosur të bojkotojë kampionatin botëror të boksit në New Dehli për shkak se India ka vendosur të mos lejojë përdorimin e simboleve të Kosovës.
Federata e Boksit në Kosovë ka treguar vështirësitë që ekipi ka hasur në përgatitjet për pjesëmarrje, duke nisur me pengesat për pajisje me vizë.
Edhe pasi kjo u realizua përmes ambasadës së Kosovës në Sofje të Bullgarisë, Ministria e Jashtme e Indisë ka informuar ekipin se nuk do të lejohet të garojë me flamurin e Kosovës si dhe të përdorë himnin.
Duke e quajtur një diskriminim, Federata e Boksit në Kosovë thotë se ka vendosur të mos marrë pjesë në eventin e madh sportiv. India bën pjesë te shtetet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Postimi i Federatës së Boksit:
DHE PSE LEJOHET MARRJA E VIZAVE POLITIKA PËRSERI PENGESË E SPORTIT
Federata e Boksit e Kosovës, në bashkëpunim të plotë me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport dhe Komitetin Olimpik të Kosovës, dëshiron të ju informojë për zhvillimet e fundit të pjesëmarrjes së boksieres tonë, Donjeta Sadiku, në Kampionatin Botëror, që prej 14-26 mars mbahet në New Delhi të Indisë.
Përkundër tentimeve të vazhdueshme për të marrë vizën nga shteti i Indisë, edhe pse u dha ‘drita e gjelbërt’, për të na u mundësuar marrja e vizës në Sofje të Bullgarisë.
Federata e Boksit e Kosovës falendëron përzemersisht zv.Ministren Daulina Osmani për angazhimin dhe përpjekjen e saj për paisjen me viza për ekipen tonë.
Mirëpo, përkundër gatishmërisë së ekipit tonë që të udhëtojë drejt New Delhit, të martën, edhe pse me vonesë, pasi nuk do ta arrinim tërheqjen e shortit, vjen lajmi tjetër nga Ministria e Jashtme e Indisë dhe organizatori i Kampionatit.
Në informatën e tyre, vihen dy kushtet e pjesëmarrjes së medalistes së bronztë të botës dhe Evropës në këtë botëror, të cilat lidhen kryekëput me çështje politike, si në vijim:
a) Flamuri i Kosovës dhe himni shtetëror nuk do të përdoren në ndonjërën nga ceremonitë gjatë kampionatit botëror
b) Pjesëmarrësit e Kosovës nuk do të lejohen të bartin flamurin e tyre ose edhe në veshjet e tyre në formë të printuar. Andaj, bazuar në kushtet e vëna, dhe diskriminimin e bërë nga shteti i Indisë, FBoxk, në koordinim me MKRS-në dhe KOK-un, kanë vendosur që ekipi ynë të mos udëhtojë fare drejt New Delhit të Indisë.
Për ne si federatë, por edhe për boksieren, e cila ishte favorite për të fituar sërish medalje, është zhgënjim i madh, sidomos me Federatën Ndërkombëtare të Boksit (IBA), e cila lejoi që për herë të tretë i njëjti vend të diskriminojë boksieren tonë, duke ia mohuar pjesëmarrjen me të drejta të barabarta si sportistët tjerë.
Përshëndetje sportive
Sek. i përgjithshem
Latif Demolli