Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, është pritur nga Sekretarja britanike e Punëve të Brendshme, Suella Braverman në Home Office.
“Me homologen britanike Suella Braverman diskutuam mbi bashkëpunimin dypalësh për të adresuar çështje komplekse si emigracioni i paligjshëm dhe krimi i organizuar, fenomene transnacionale që kurrsesi nuk mund të identifikohen me etni të caktuara. Ndava me homologen time shqetësimin se është e patolerueshme që komuniteti shqiptar të veçohet dhe stereotipizohet vetëm nga disa personazhe të botës ilegale”, tha Çuçi.
Më tej gjatë takimit ai theksoi se e vërteta është se shqiptarët janë një komunitet vital dhe i integruar në Britaninë e Madhe. Ministri i Brendshëm i bëri një propozim konkret homologes së tij britanike, për të amnistuar shqiptarët pa viza në Mbretërinë e Bashkuar, por që punojnë ndershmërisht dhe s’kanë rekorde kriminale në ngarkim.
“Qasja jonë është se emigracioni i paligjshëm nuk mund të adresohet si problem pa përmirësuar kushtet e emigracionit përmes rrugëve legale. Në këtë pikë i kërkova homologes Braverman të rishikojnë edhe njëherë regjimin e trajtimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe, për t’i lehtësuar në raport me mundësi të reja punësimi apo lëvizjet sezonale. I kërkova gjithashtu të amnistojë çdo shqiptar pa vizë, por që punon në mënyrë të ndershme dhe nuk ka rekorde kriminale në ngarkim”, deklaroi ministri Çuçi. Ai gjithashtu vlerësoi asistencën dhe ekspertizën britanike në ngritjen e kapaciteteve tona dhe në mbështetje të modernizimit të Institutit të Policisë Shkencore.