Një kompani e njohur mund të hasë në probleme gjatë procesit të mbrojtjes së emrit.
Javën e kaluar, Facebook njoftoi një ndryshim në markë, në të cilën kompania tani e quan veten Meta.
Ndryshimi i emrit mund t’i kushtojë shtrenjtë Facebookut. Duket se në muajin gusht, një kompani startup PC ka paraqitur një kërkesë për mbrojtjen e emrit “Meta”. Kjo kompani ka shitur produkte nën markën Meta PC që nga nëntori i vitit 2020, raporton businessinsider.
Facebook, nga ana tjetër, ka paraqitur kërkesën për ndryshimin e emrit më 28 tetor. Ende nuk është miratuar asnjë kërkesë, që do të thotë se emri mund të luftohet para gjykatave.
Megjithatë, mediat përmendin se themeluesit e kompanisë Meta PC janë të gatshëm të heqin dorë nga ky emër nëse Mark Zuckerberg u paguan 20 milionë dollarë për përdorimin e këtij emri.
Facebook nuk ka komentuar për këto akuza dhe mbetet të shihet se në cilin drejtim do të shkojë e gjithë historia.