Dy persona janë arrestuar nga policia në Pogradec pasi u kapën duke transportuar, kundrejt fitimit, 4 shtetas të huaj, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Korçë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Unaza”, si rezultat i të cilit u godit një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë, kundrejt fitimit, shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-S. H., 41 vjeç, banues në Pogradec dhe K. Sh., 46 vjeç, banues në Tiranë.
“Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore, në lagjen nr. 1, Pogradec, duke transportuar, kundrejt fitimit, me automjetin tip “Ford”, në drejtim të Tiranës, 4 shtetas të huaj, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së,” njofoi policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.