Shtetasit nga Polonia duket se kanë kthyer sytë nga Saranda për të blerë prona. Dhjetëra polakë kanë investuar në pasuri të patundshme vitet e fundit në qytetin bregdetar të jugut. Çmimet e përballueshme për ta, vera e gjatë dhe me diell si dhe bregdeti janë disa nga arsyet që kanë shtyrë polakët që të blejnë prona në jug të Shqipërisë.
Pesë vite më parë Tomas nga Polonia vendosi të blinte një apartament në Sarandë.
Çmimet e arsyeshme, deti dhe vera e gjate ishin arsyet kryesore që ai dhe familja e tij u vendosen në Sarandë ku mendon të kaloj pjesën tjetër të jetës.
“Vendosëm të blinim një apartament 5 vite më parë dhe një nga arsyet ishin çmimet e favorshme për ne në atë periudhë, sepse tani në të gjithë Europën janë në rritje. Çmimet këtu janë nmë të ulëta se në Poloni”, thotë ai.
Pasi kanë studiuar qytetin dhe tregun e patundshmërive, Tomas thotë se ai dhe familja e tij po mendojnë të investojnë në blerje apartamentesh të tjera, duke qenë se çmimet në vendet e tjera te Evropë janë shumë më të larta.
“Jam duke menduar të investoj në prona ose të blej një shtëpi më të madhe për të jetuar, sepse unë dhe bashkëshortja ime mendoj të jetojmë këtu. Jemi në atë moshë që duam të jetojmë diku dhe jo të punojmë”, shton Tomas.
Sipas Bledi Mullait, agjent patundshmërive në qytetin bregdetar, polakët janë kthyer në blerësin numër 1 të apartamenteve dhe bizneseve.
“Ka pasur një rritje të klientëve polakë që kanë krijuar dhe komunitetin e tyre këtu”, tha ai.
Rritja me 30-40 për qind e çmimit të pronave në Sarandë është parë e përballueshme nga polakët të cilët, në masë po blejnë prona me qëllime biznesi.