Skuadra e Tiranës dështon. Asnjë surprizë, madje asnjë rezistencë. Dinamo ka fituar duke dominuar 1-4 sfidën ndaj Tiranës në “Elbasan Arena”, për javën e 27-të Superiores. Një ndeshje që konfirmoi diferencën shumë të thellë që është krijuar tashmë mes skuadrave që luftojnë për titull si ajo e Dinamos dhe bardhebluve të cilët janë kthyer në kandidatë kryesorë për rënien nga kategoria.
Skuadra e Bledi Shkëmbit rezistoi vetëm në pjesën e parë ku nuk krijoi shumë, por as nuk lejoi dinamovitët që të krijonin. Golin e parë në fakt e shënoi Tirana me anë të Jarmouni, i cili tundi rrjetën nga penalltia në minutën e 11. Megjithatë, autogoli i Metës në të 15-tën vendosi baraspeshën.
PJESA E DYTË
Bardheblutë, me frikën e renditjes, tentuan ta fitonin ndeshjen, duke dalë në sulm. Por ky guxim pati koston e shpërbërjes, e goditur fillimisht nga goli i Bregut, supergoli i Lorran në fund, goli i Mandelës. Aty ndeshja praktikisht mbaroi për Tiranën, e cila nuk kishte forcë të reagonte dhe vetëm pësonte aksionet e njëpasnjëshme të bluve. Me këtë triumf, skuadra e Dinamos shkon në kuotën e 47 pikëve dhe merr vendin e dytë, duke lënë pas Vllazninë me 1 pikë më pak. Në krahun tjetër, Tirana mban vendin e parafundit dhe sheh në horizont rënien nga “Abissnet Superiore”, gjë që do të ishte fatal për fatet e sezonit me 26 pikë, po aq sa Skënderbeu i vendit të fundit.
1 comment
[…] LEXO ME SHUME:Shpërfytyrim dhe turp! Dinamo i shënon katër gola, Tirana sheh në horizont Kategorinë e Parë (… […]
Comments are closed