Skënderbeu është duke kaluar një moment delikat në kampionat. Humbja e fundit përballë Egnatias duket se ka trazuar më shumë ujërat në kampin bardhekuq. Në kushte të tilla nuk kishte si të mungonte edhe një mbledhje e shpejtë në radhët e korçarëve, atje ku si presidenti Ardjan Takaj edhe trajneri Ivan Gvozdenoviç, kërkojnë që t’i japin fund vuajtjeve në ndeshjen e kësaj të shtune ndaj Dinamos në shtëpi.
Ndeshje e cila sipas tyre është një përballje ku fitorja është detyrim, në të kundërt pritet që të ketë tërmet në radhët e Skënderbeut. I ashpër ka qenë në fjalët e tij presidenti Takaj drejtuar lojtarëve dhe stafit duke dhënë kështu ultimatumin për ndeshjen me Dinamon.
Kjo vjen edhe për shkak se në dy javët e ardhshme Skënderbeu do të luajë në transfertë dhe momenti bëhet akoma edhe më i vështirë. Nga ana tjetër, po kaq i vendosur ka qenë edhe trajneri Ivan Gvozdenoviç me të tijtë. Një moment që mund të zgjidhej mët hjeshtë e mbi të gjitha nuk duhet të përsëritet në asnjë moment në ndeshjet në vijim. Ndaj edhe për trajnerin ndeshja ndaj Dinamos është një pikë kyçe e sezonit, teksa i ka kërkuar lojtarëve që të tregojnë më shumë sesa limitet e tyre në këtë takim. Tonet kanë qenë deri diku të qeta, por me kërkesë llogarie maksimale sa i përket takimit me futbollistët në këtë analizë para seancës stërvitore.