Skënderbeu bën afrimin e dytë në merkaton e verës. Pas mbrojtësit të majtë korçar, Klevis Shaqe, Marcos Matheus de Oliveira Ramos ka arritur akordin me bardhekuqtë dhe do t’i bashkohet ekipit në ditën e parë të stërvitjes më 26 qershor. 24-vjeçari është afirmuar në futbollin shqiptar si pjesë e Egnatias në vitet 2019-2021, duke bërë paraqitje të mira.

Në Kategorinë e Parë ka luajtur 50 ndeshje, duke shënuar edhe dy gola si pjesë e Burrelit. Interesant është fakti se një prej golave, Ramos e ka shënuar në portën e Skënderbeut, pikërisht në ndeshjen e luajtur më 8 tetor 2022, që u fitua 4-1 nga bardhekuqtë.
Tifozët korçarë janë mësuar në të kaluarën për merkato me emra “Big”, por duket se kjo nuk do të ndodhë, me presidencën që po mundohet të afrojë lojtarë që mund të shkëlqejnë në Superiore në sezonin e tyre të parë.