Në Tiranë jetojnë shumë qytetarë, që kanë një banesë të blerë apo me qira, por nuk figurojnë të regjistruar në gjendjen civile të Bashkisë Tiranë. Shërbimet që ofron shteti, duke nisur nga certifikatat, këta banorë të Tiranës i kryejnë në qytetet e tyre të origjinës, megjithëse ligji për gjendjen civile i detyron qytetarët të deklarojnë vendbanimin e ri.
Ligji i gjendjes civile.
Neni 15
Regjistrimi dhe ndryshimi i vendbanimit
1. Regjistrimi fillestar i vendbanimit/adresës së banesës, sipas nenit 14 të këtij ligji, si dhe ndryshimi i vendbanimit/adresës së banesës, si rregull, bëhet në zyrën e gjendjes civile bashki/komunë që ka në juridiksion territorial vendbanimin apo banesën e deklaruar.
3. Në rast ndryshimi të vendbanimit, apo kur një banesë nuk përdoret më për përdorim vetjak apo të familjes, ky ndryshim deklarohet në zyrën e gjendjes civile. Regjistrimi fillestar i vendbanimit apo ndryshimi i tij bëhet jo më vonë se 30 ditë nga ardhja në këtë vendbanim. I njëjti afat zbatohet edhe për deklarimin e banesave që nuk kanë statusin e vendbanimit.
Deri pak muaj më parë, ligji i gjendjes civile parashikonte gjobë deri në 100 mijë lekë për personat që nuk deklaronin vendbanimin. Por ky përcaktim u hoq në mënyrë të papritur nga parlamenti vetëm pak muaj para zgjedhjeve, u kthye mbrapsht me dekret nga presidenti dhe hyri në fuqi në nëntor.
Neni 74, dhe specifikisht pika 1, shkronja “ç”, e ligjit nr. 10129, datë 11.5.2020 “Për gjendjen civile”, i ndryshuar:
ç) shkelja ose mosrespektimi i dispozitës së përcaktuar në pikën 3, të nenit 15, dënohet me gjobë, në masën 10 000 lekë, dhe me pezullim të shërbimit deri në vjeljen e gjobës, të cilën e vendos dhe e vjel nëpunësi i gjendjes civile.
Kjo pikë u shfuqizua përmes ligjit nr. 130/2020,
Argumenti i qeverisë ishte për të nxitur njerëzit të deklarojnë vendbanimin e tyre, por ata që njohin ligjin e zgjedhjeve ngritën shqetësimin se ky ishte një veprim që i shërbente partisë në pushtet për të përqendruar vota në Tiranë.
Një nga zonat me më shumë banorë që jetojnë në Tiranë të paregjistruar është njësia 14, e njohur ndryshe si zona e Yberishtit.
Investigimi i emisionit Boom arriti të provojë se në këtë zonë, procesi i regjistrimit të banorëve është shndërruar në një proces partiak që dirigjohet nga zyrat elektorale të Partisë Socialiste.
Zyra elektorale PS: I ke letrat gati ti?
Boom: Po po e bëra pra e bëra të noteri, sapo e mbarova ndaj të mora.
Zyra elektorale PS: Shumë mirë, do të më bësh dhe fotokopjet e kartave të personave mbi 18 vjeç. Kë kishe ti?
Boom: Unë, mami e babi jemi, të gjithë mbi 18 vjeç.
Zyra elektorale PS: Do të m’i bësh fotokopjet e kartave. Dhe mbasdite kur të duash, ose mbasdite do m’i sjellësh te zyra mbasdite?
Boom: Ok, të vij te zyra, ça ore?
Zyra elektorale PS: Që të mos mundohesh fare ti atje poshtë, ia çoj direkt unë.
Boom: Ok, super, ça ore?
Zyra elektorale PS: Nga ora 6 po ashtu hajde te zyra.
Telefonata me përfaqësuesen e zyrës së Partisë Socialiste për njësinë 14, në Yberisht, u pasua nga takimi fizik në zyrën elektorale të Partisë Socialiste.
Biseda në këtë zyrë tregon se regjistrimi i vendbanimit të qytetarëve, pas heqjes së gjobës për vonesën e deklarimit, po drejtohet nga zyrat elektorale të Partisë Socialiste.
Zyra elektorale PS: Hajde. E kemi çik si modeste këtë zyrë. Ja t’i shikoj (dokumentat).
Boom: Unë bëra tre fotokopje, timen, të mamit të babit.
Zyra elektorale PS: Shumë mirë, deklaratë noteriale …( shikon dokumentat ). E bëre njehsimin me origjinalin.
Boom: Gjeta njërin, shok i imi domethënë… personi që më ka dhënë shtëpinë
Zyra elektorale PS: S’ka rëndësi, gjasme.. sikur do të rrish aty, nuk ka fare rëndësi. Ky e ka shtëpinë e vet?
Boom: Po, po, e ka të vetën e ka me certifikatë pronësie o goce..
Zyra elektorale PS: Ja atë po shoh.
Boom: Tani, dëgjo si do ta bëjmë? Unë do të shkoj tek njësia 14?
Zyra elektorale PS: Asgjë do t’i çoj unë. S’ke ça të bësh asgjë, ato kalojnë të dhënat në sistem. I ke në rregull, do t’i bëj një foto e do t’ia çoj që tani administratorit.
Boom: Ky i 14-ës?
Zyra elektorale PS: I 14-ës.
Boom ka kërkuar të dhëna në institucione të ndryshme sesa qytetarëve janë regjistruar në Tiranë dhe bashkitë kryesore të vendit, që kur shfuqizimi i gjobës 100 mijë lekë për mosdeklarimin në kohë të vendbanimit, hyri në fuqi.
Boom dërgoi shkresë zyrtare për informacion pranë Bashkisë Tiranë, dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për çështjen e zhvendosjes së qytetarëve.
Por deri në përgjigjen e institucioneve, kemi siguruar një të dhënë të rëndësishme nga zyra elektorale e PS. Njerëzit e regjistruar pas shfuqizimit të gjobës, potencialisht votues të PS, janë me mijëra.
Boom: Kam dhe ca shoqe të miat që në fakt nuk e kanë këtu (vendbanimin) dhe kanë pritur që ta bëjnë këtë gjendjen civile. Tani, deri në çfarë date është?
Zyra elektorale PS: Deri në datën 5 mars.
Boom: Po si nuk njoftuat më përpara o goce, çfarë të bëjnë njerëzit për dy ditë?!
Zyra elektorale PS: Ligji ka dalë që në nëntor.
Boom: Që në nëntor që është hequr kjo, sa është 100 mijë lekë?
Zyra elektorale PS: 100 mijë lekë. Është shumë prandaj nuk vijnë njerëzit.
Boom: Po, po e di sa ka këtu? Këtu është gjithë lagjja.
Zyra elektorale PS: Jo gjithë, por më shumë se gjysma.
Boom: Po a kanë ardhur? Janë bërë ca?
Zyra elektorale PS: Kanë ardhur shumë. Nga 8 mijë janë bërë 22 mijë banorë. Kanë ardhur këtë vit shumë.
Janë të paktën 14 mijë banorë për një periudhë gati 4 mujore. Sipas rregullave të ligjit zgjedhor, një mandat deputeti në Tiranë fitohet me rreth 10 mijë vota.
Ne nuk e dimë, nëse këta janë të gjithë votues të Partisë Socialiste, por provuam përtej çdo dyshimi se shfuqizimi i gjobës 100 mijë lekë, i promovuar si ndihmë për njerëzit, ishte një mekanizëm i përdorur nga Partia Socialiste për të regjistruar në Tiranë mbështetësit e vet.