Vetitë ushqyese e shëruese të këtij fruti magjik, të njohura qysh nga lashtësia, vijojnë të na lehtësojnë procesin e përkujdesjes së lëkurës, si dhe të na zgjidhin jo pak probleme shëndetësore. Jo pa të drejtë shega është cilësuar si një prej superushqimeve më të mira për njeriun. Për shkak të antioksidantëve dhe sasisë së lartë të vitaminës C që ajo përmban, përbën lëndë e parë për prodhimin e produkteve kozmetike me efekt anti-rrudhë dhe shkëlqyes.
Në qoftë se ju pëlqejnë recetat natyrale, pa kimikate apo përbërës të tjerë të dëmshëm për lëkurën, hidhini një sy recetës vijuese:
Përbërësit:
1 filxhan kafeje kokrra shege
1 filxhan kafeje sheqer
2 lugë gjelle vaj ulliri
1 lugë të vogël vaj bajame
Përgatitja:
Si fillim, shtypni kokrrat e shegës, pastaj shtoni përbërësit e tjerë dhe vijoni t’i përzieni mirë së bashku derisa të formohet një masë e trashë. Mandej aplikojeni në lëkurë të lagur, duke bërë masazh të lehtë me lëvizje rrethore. Në fund, shpëlahuni me ujë të vakët ose të ftohtë. Përzierja e mbetur mund të ruhet (e mbuluar me membranë plastmasi) në frigorifer deri në katër ditë.