Policia ka vënë në pranga shtetasin Amarildo Shabani, 33 vjeç, i cili ka dhunuar dhe i ka hequr lirinë gruas së tij.
Ky shtetas e ka marrë me forcë bashkëshorten nga subjekti privat ku ajo punonte dhe e ka dërguar në një lokal ku më pas ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike në kundërshtim të plotë me ligjin pasi ajo kishte dhe urdhët mbrojtje ndaj këtij shtetasi.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Njoftimi i Policisë:
I hoqi lirinë dhe ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje, falë veprimeve të shpejta profesionale të shërbimeve të Policisë, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas njoftimit se një shtetas kishte marrë me forcë bashkëshorten e tij nga vendi i saj i punës, e kishte çuar atë në një lokal, pa dëshirën e saj, dhe më pas e kishte dhunuar, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale nga shërbimet e Policisë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– A. Sh., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Ky shtetas ka marrë me forcë bashkëshorten e tij, nga subjekti privat ku ajo punonte, në rrugën “Qazim Vathi”, e ka dërguar në një lokal dhe më pas ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, e cila e kishte pajisur këtë shtetase me urdhër mbrojtjeje.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.