Nëse do të keni fatin të jetoni deri në moshën 80 vjeçare, atëherë do të keni kryer deri në 1 miliardë frymëmarrje që në momentin kur keni ardhur në jetë. Ne kryejmë rreth 20.000 frymëmarrje në ditë, duke thithur oksigjen për të ushqyer qelizat dhe indet tona dhe duke e çliruar trupin nga dioksidi i karbonit që krijohet si rezultat i metabolizmit qelizor. Frymëmarrja është aq thelbësore për jetën, saqë në përgjithësi njerëzit vdesin brenda pak minutash nëse ajo ndalon.
Është një sjellje kaq automatike, saqë priremi ta marrim si të mirëqenë. Në fakt frymëmarrja është një mrekulli fiziologjike. Jashtëzakonisht e besueshme dhe tepër dinamike. Shkalla jonë e frymëmarrjes mund të ndryshojë thuajse menjëherë në përgjigje të stresit.
Apo edhe gjatë një aktiviteti fizik të shtuar. Dhe frymëmarrja është kaq e koordinuar me sjellje të tjera si të ngrënit, të folurit, të qeshurit dhe psherëtimat, saqë ju mund të mos e keni vënë re asnjëherë se si ndryshon frymëmarrja juaj për t’iu përshtatur atyre.
Por frymëmarrja mund të ndikojë edhe mbi gjendjen tuaj mendore. Dhe kjo dëshmohet nga praktikat e kontrolluara të frymëmarrjes si joga, por edhe tradita të tjera të lashta medituese.
Vitet e fundit, studiuesit kanë filluar të zbulojnë disa nga mekanizmat themelorë nervorë të frymëmarrjes dhe ndikimet e shumta të saj mbi trupin dhe mendjen e njeriut.
Në fund të viteve 1980, neuroshkencëtarët identifikuan një rrjet neuronesh në trungun e trurit që përcakton ritmin e frymëmarrjes. Ky zbulim mundësoi vazhdimin e hulumtimeve se si truri e integron frymëmarrjen me sjelljet e tjera. “Frymëmarrja është një proces shumë kompleks. Pasi ne po ndryshojmë vazhdimisht qëndrimin tonë dhe metabolizmin tonë.
Dhe ajo duhet të koordinohet me shumë sjellje të tjera”- thotë Xhek L.Feldman, neuroshkencëtar në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos.
Sa herë që merrni frymë, mushkëritë tuaja mbushen me ajër të pasur me oksigjen, që më pas shpërndahet në qarkullimin e gjakut për t’u shpërndarë në të gjithë trupin tuaj. Zakonisht 2 ndarjet e mushkërive njerëzore përmbajnë rreth 500 milionë qese të vogla të quajtura alveola, muret e të cilave janë vendi ku gazrat kalojnë midis rrugëve të frymëmarrjes dhe qarkullimit të gjakut.
Sipërfaqja totale e tyre është rreth 70 metra katrorë. “Aspekti më i jashtëzakonshme për gjitarët, përfshirë njerëzit, është se ne kemi një hapësirë të madhe për të në gjoks”- thotë Feldman. Pra më shumë sipërfaqe, do të thotë më shumë shkëmbim gazi në sekondë.
Por mushkëritë nuk mund ta kryejnë vetëm këtë proces, pasi që të funksionojnë duhet të pompohen. Pas çdo frymëmarrje, muskuli i diafragmës në fund të zgavrës së kraharorit tkurret. Njëkohësisht, muskujt midis brinjëve e lëvizin kafazin e brinjëve. Këto veprime i zgjerojnë mushkëritë dhe e tërheqin ajrin.
Frymënxjerrja ndodh në mënyrë pasive, kur muskujt relaksohen dhe mushkëritë shfryhen. Pra frymëmarrja kërkon lëvizje të koordinuara të diafragmës dhe muskujve. Në fund të viteve 1980, Feldman dhe kolegët arritën të lokalizojnë një rrjet prej rreth 3.000 neuronesh në trungun e trurit të brejtësve (tek njerëzit ai përmban rreth 10.000 neurone), përgjegjës për këtë koordinim.
Tani quhet Kompleksi preBötzinger (preBötC). Neuronet shfaqin një aktivitet elektrik spontan, që pasi transmetohet përmes neuroneve të ndërmjetme, i drejtojnë muskujt që kontrollojnë frymëmarrjen. Ndërkohë studimet e fundit kanë sugjeruar se frymëmarrja mund të ndikojë në performancën e njerëzve në një gamë çuditërisht të gjerë testesh laboratorike.
Si për shembull, zbulimi i një prekje të dobët apo dallimi i objekteve tredimensionale. Një studim zbuloi se njerëzit priren të marrin pak më tepër frymë para një detyre njohëse, dhe kjo priret të përmirësojë performancën. Disa studime kanë zbuluar se vetëm frymëmarrja përmes hundës i ka këto efekte, teksa ajo përmes gojës jo.
Një ide se si kjo mund të funksionojë, fokusohet tek lëkundjet ritmike të mirë-dokumentuara të aktivitetit elektrik në tru. Këto valë, të matura shpesh përmes elektrodave të vendosura në lëkurën e kokës, kapin aktivitetin kumulativ të mijëra neuroneve.
Për dekada me radhë disa neuroshkencëtarë kanë argumentuar se ato pasqyrojnë komunikimin midis rajoneve të largëta të trurit, që mund të jenë përgjegjës për aspektet më të rëndësishme të njohjes. Për shembull, se si truri e integron informacionin ndijor të përpunuar veçmas në pjesët dëgjimore dhe vizuale të trurit, për të prodhuar atë që ne përjetojmë si një perceptim i qetë i tingujve dhe pamjeve të një skene.
Madje disa shkencëtarë kanë propozuar që një aktivitet i tillë i sinkronizuar, mund të jetë baza e vetë ndërgjegjes. Por ka gjithnjë e më shumë prova se frymëmarrja mund të përcaktojë ritmin për disa nga këto lëkundje. Për shembull, tek eksperimentet me brejtësit, disa ekipe kërkimore kanë zbuluar se ritmi i frymëmarrjes ndikon në valët e aktivitetit në hipokampus, një rajon kritik për të mësuarit dhe kujtesën.
Studimi më i fundit sugjeron se ritmi i frymëmarrjes, mund të sinkronizojë aktivitetin jo vetëm brenda, por edhe midis rajoneve të trurit. Për mijëvjeçarë të tërë, praktikuesit e jogës dhe traditave të tjera të lashta të meditimit kanë praktikuar frymëmarrjen e kontrolluar si një mjet për të ndikuar në gjendjen e tyre mendore.
Vitet e fundit, studiuesit janë bërë gjithnjë e më të interesuar për mekanizmat biologjikë të këtyre efekteve, dhe se si ato mund të aplikohen për të ndihmuar njerëzit që vuajnë nga ankthi dhe çrregullimet e humorit.