Paraqitja e ekipit të Erzenit në shtatë miqësoret e fundit nuk ka lënë pa tërhequr vëmendjen e të gjithëve, pasi shijakasit nuk kanë shënuar asnjë gol. Pra, problemi shihet më i madh në finalizimin e aksioneve e gjetjen e rrjetës.
Këto të dhëna tregojnë që grupi ka nevojë për ndërhyrje në reparte, sidomos në sulm, për t’i dhënë siguri akoma dhe më të madhe. Drejtuesit kërkojnë me patjetër që reparti i avancuar të pësojë ndryshime, andaj në shumë prej opsioneve, aludohet që sulmuesi Nikson Gylyherme të jetë goditja e madhe e merkatos. Braziliani 27-vjeçar ka tërhequr vëmendjen e shihet si përforcimi i duhur.
Interesimi ka ardhur dhe si pasojë e eksperiencës, e cila duket e konsiderueshme me aktivizime ndër vite në Portugali, Arabi, Bangladesh, Malajzi e së fundmi në Superligën boliviane me ekipin e CD Real Tomayapo. Ky element kualitativ pritet në vazhdim nëse do të firmosë zyrtarisht me skuadrën, e cila vigjilente qëndron edhe për sistemimin e reparteve të tjera në ditët e mbetura të transfertave që starti i sezonit t’i gjejë gati e të konsoliduar.