UEFA ka hedhur sot në Paris shortin për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve. Turneu i cili ka zëvendësuar miqësoret në kontinent, po tërheq mjaft interes edhe për faktin se u mundëson ekipeve kombëtare që të ndeshen me rivalë të të njëjtit nivel.
Rrugëtimi i Shqipërisë në këtë edicion nuk do të jetë i thjeshtë, ndonëse kuqezinjtë kanë shmangur superfuqitë që mund t’i vinin përballë goglat. Emri që ka dalë nga vazo e parë në Ligën B ku bën pjesë, është ai i Çekisë, një kundërshtar me të cilin skuadra e Sylvinhos u ndesh në eliminatoret e Euro 2024. Nga vazo e dytë ishte Ukraina ajo që u caktua si kundërshtar, një rival jo i thjeshtë, por që mund të ndikohet nga fakti që nuk luan në vendin e saj për shkak të luftës.
Ndërkohë, në vazon e fundit janë shmangur ekipe si Turqia e Greqia, por përballë do të jetë Gjeorgjia e Kvrataskhelias, i cili po lë shenjë në futbollin europian.