Prodhimi vendas është një ndër sektorët më të goditur nga pandemia. Arben Shkodra, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, tha në A2 Business, se si e gjithë bota, edhe parashikimet për vitin 2021, kanë qenë “të zymta”. “Ka filluar një vit i cili është vit i brishtë, sepse është elektoral. Pandemia vazhdon të ketë pasojat e veta. Edhe ky 6-mujor do të jetë i vështirë”, tha Shkodra.
Ai kërkon që partitë politike të kthejnë më shumë sytë nga prodhimet vendase. “Kuptojnë që fokusi kryesor i çdo programi rindërtimi, çdo pakete fiskale, buxhetit të shtetit, duhet të jetë edhe te konkurrueshmëria dhe prodhimet vendase. Dialogu publik-privat ka të bëjë me ngritjen e një tryeze të konsoliduar si Këshilli Ekonomik Kombëtar, që ka dy vite që nuk mblidhet. Duhet të ulemi me qeverinë, të dëgjohemi dhe aty të dalin politikat”.Në thelb, Shkodra kërkon që në përmes një reforme të madhe të procedurave të eliminohen ose ulen disa taksa. “Disa prej tyre janë barrë për sipërmarrësin prodhues dhe duhet t’i heqim ose t’i lehtësojmë. Nuk kemi një mekanizëm për të eksportuar, eksportojmë vetëm dhe nuk kemi incentiva për eksportin e prodhimeve “Made in Albania””, tha ai.