Akuza për lojën dhe humbjen, në Shkodër shpërthejnë ndaj klubit

Shkodër

Humbja e Vllaznisë në ndeshjen e parë debutuese të sezonit 2025-‘26, në turin e parë të “Conference League” ka lënë shumë të zhgënjyer në ambientin e futbollit në Shkodër. Disfata në shifrat 0- 1 ndaj një skuadre modeste si Daugavpils i Letonisë, nuk është “kapërdirë” aspak lehtë.

Pavarësisht se për kuqeblutë gjithçka ngelet e hapur, pasi humbja ka ardhur në një rezultati minimal. Megjithatë, tifozët e kuqebluve, të cilët u privuan edhe për ta ndjekur sfidën nga shkallët e stadiumit, pasi dueli u luajt në Elbasan, kanë “shpërthyer” me kritika në rrjetet sociale. Shumica prej tyre kanë gjykuar ashpër lojën e shkodranëve, e cila nuk ishte aspak në nivel dhe pavarësisht se u krijuan disa raste, sipas mbështetësve shkodranë, skuadra nuk dha asnjëherë “shkëndijën” se mund ta fitonte dhe dëshironte këtë sukses.

Shumica e komenteve ishin në lidhje edhe me praninë e pakët të tifozëve në stadium. Duke ironizuar me fjalët “ja ku përfundoni pa tifozët në krah”. Një “acarim” ndoshta i kuptueshëm i tifozërisë shkodrane që njihet si një nga më të zjarrtat në vend.

Dhe jo vetëm kërkojnë sukseset çdo herë që zbret në fushë skuadra tyre e zemrës, por kërkojnë edhe nivel loje nga ana e 9 herë kampionëve të vendit. Por, kishte nga ata që e shihnin edhe “gotën gjysmë plot”. Duke vlerësuar përpjekjet dhe rastet e shkodranëve e duke shpresuar në Shkodër një përmbysje të rezultatit në ndeshjen e kthimit pas një jave.

Related posts

Alarm në Prishtinë! Heshtje dhe kaos, biletat e Kosovës përfundojnë te tifozët turq

Finalja historike e Kosovës “djeg” Rumaninë, ish-ministri nuk përmbahet: Duhet shpjegim, një shtet i vogël na dha leksione futbolli

Një humbje që bën histori, Shqipëria i jep fund dominimit brazilian në pankina (FOTO)