Shkëndija e Tetovës dhe Dinamo janë përballur ditën e sotme në një ndeshje miqësore. Kjo sfidë u fitua nga kampionët e Maqedonisë së Veriut me rezultatin e ngushtë 2-1.
Krasniqi gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e 31-të, ndërsa Itodo Mandela barazoi shifrat në të 41-tën. Në krahun tjetër, ndeshja u vendos nga Jakupi në minutën e 66-të, i cili shënoi golin e fitores për tetovarët. Një “sinjal” negativ për “djemtë” e Ilir Dajës në këtë fazë përgatitore. Në krahun tjetër, kuqezinjtë e Shkëndijës duken gati për Kupat e Evropës, ku më 8 korrik përballen në Champions League me uellsianët e TNS.
SHANSI – Me krijimin e Conference League, për klubet shqiptare është bërë më e mundur të kalojnë ture dhe Dinamo do të provojë padyshim të shkruajë histori të re. Klubi blu do të mbajë të gjithë lojtarët aktualë dhe do të sjellë edhe disa përforcime për të synuar të përparojë sa më shumë dhe për të sjellë sa më tepër përfitime financiare në arkat e klubit.
Fakti është se Ilir Daja ia di sekretet këtij kompeticioni (Conference League), sepse ka shkuar dy herë në grupe me Ballkanin e Suharekës, duke shkruar historinë e futbollit kosovar dhe mbarëshqiptar. Më parë, tiranasi ka arritur të kualifikohet në grupet e Ligës së Europës me Skënderbeun.