AF Elbasani ia doli të firmoste me një lojtar si Bruno Telushi që dihen cilësitë e tij. Edhe pse të shumtë e quanin të vështirë këtë operacion, drejtuesit ia dolën dhe sot që flasim kanë në ekip ish-kapitenin e Partizanit. Në lojë për shërbimet e tij ishte edhe Flamurtari, por verdheblutë i ofruan atë që ndoshta i mungonte 32-vjeçarit. Gjatë intervistës së dhënë, mesfushori vlonjat do të shprehej.
“Në radhë të parë ishin njerëzit që patën besim tek unë dhe kjo gjë më dha kënaqësi, duke filluar nga trajneri apo drejtuesit. Më pas edhe projekti i skuadrës dhe mendimi për Superioren. Shanset janë të mëdha, klubi ka projekt serioz dhe ka bërë përzgjedhje lojtarësh për Superiore. Jo më kot ka marrë shumë lojtarë nga elita.
Kjo tregon seriozitet dhe një objektiv që duhet ta arrijmë me patjetër. Tifozëve u premtoj sa më shumë fitore. U them që të vijnë sa më të shumtë në stadium e të na mbështesin, sepse ky është një plus i madh për ne. Nuk do t’i zhgënjejmë.” Përfundoi Bruno Telushi.