Lëvizje surprizë te Partizani, ish-lojtari i Kombëtares shumë pranë firmës (EMRI)

Shabani

Merkatoja e Partizanit pritet të mbyllet me të paktën dy goditje të rëndësishme, teksa drejtuesit e klubit janë në lëvizje për të plotësuar nevojat e stafit teknik. Një nga repartet ku të kuqtë kërkojnë ndërhyrje është mesfusha dhe krahu i sulmit, repart që ka diktuar nevojën për përforcime të menjëhershme.

Pikërisht për këtë arsye, kryeqytetasit kanë intensifikuar kontaktet për një emër që prej vitesh ka qenë aktiv në futbollin suedez. Bëhet fjalë për Laorent Shabanin, 26-vjeçarin që është shumë pranë nënshkrimit me Partizanin. Burime pranë klubit bëjnë me dije se bisedimet janë drejt finalizimit dhe marrëveshja mund të zyrtarizohet së shpejti.

Shabani, ish-pjesë e Kombëtares shqiptare U-21, ka luajtur për disa sezone në Suedi, ku ka fituar eksperiencë të vlefshme në nivele konkurruese. Së fundmi ai ishte pjesë e Norrkoping, me të cilin mbylli bashkëpunimin në muajin dhjetor, duke mbetur aktualisht lojtar i lirë.

Futbollisti shqiptar mbulon të dy krahët e sulmit dhe shquhet për shpejtësinë dhe aftësinë për të krijuar rrezik në zonën kundërshtare. Në dy vitet e fundit, Shabani ka regjistruar 8 gola në 28 ndeshje në të gjitha kompeticionet, një statistikë që ka bindur drejtuesit e Partizanit për ta afruar.

Emri i tij ishte përfolur më herët edhe te Teuta, por negociatat nuk u konkretizuan. Tashmë, duket se Partizani është shumë pranë sigurimit të shërbimeve të tij, ndërsa merkatoja e të kuqve pritet të rezervojë edhe të paktën një goditje tjetër përpara mbylljes së afatit.

Related posts

“Duan të mbajnë me zor Tiranën në Superiore”, presidenti i klubit rival shpërthen në studio: Nuk bëhet qameti, pse duhet të digjemi ne si ekip…

Rikthim në kryeqytet, Tirana siguron një ish-kampion për pjesën e mbetur të kampionatit

Mbylli bashkëpunimin me Flamurtarin, Valentino Murataj surprizon me skuadrën e re