Sembene, lojtari që i hoqi 3 pikë Tiranës dhe premion e majme akorduar nga Refik Halili

Sembene

Sembene, lojtari që i hoqi 3 pikë Tiranës dhe premion e majme. Klikoje Sport mëson se presidenti i Tiranës, Refik Halili kishte dhënë 20 mijë euro premio për lojtarët në rast të një suksesi. Një gjë e tillë nuk ndodhi, dhe lojtarët u “ngrohën” vetëm me pagën e marrë.

Partizani dhe Tirana u ndanë në një barazim 1-1 në derbin e zhvilluar në “Arenën e Demave”, në një ndeshje që pati gjithçka: emocione, dramë dhe një përleshje masive mes lojtarëve pas golit të barazimit në minutën e 90′ nga Sembene. Arbitri Eldorjan Hamiti nuk ngurroi të nxirrte një mori kartonësh të kuq, duke e mbyllur këtë përballje me kaos total.

Takimi nisi me një ritëm të lartë, me të dyja ekipet që kërkonin golin e avantazhit. Tirana kaloi e para në epërsi në minutën e 29-të me një gol të Ernest, i cili përfitoi nga një pasiguri në mbrojtjen e Partizanit dhe e çoi topin në rrjetë. Pjesa e dytë ishte e luftuar, me Partizanin që u hodh në sulm për të kërkuar golin e barazimit. Kur dukej se Tirana do të dilte me tri pikët, në minutën e 90-të, Sembene përfitoi nga një krosim në zonë dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke shpërthyer festën te të kuqtë. Por festa u shndërrua menjëherë në kaos.

Sapo topi përfundoi në rrjetë, situata në fushë doli jashtë kontrollit. Një përplasje mes lojtarëve të të dyja ekipeve shkaktoi një sherr masiv, që solli ndërhyrjen e gjyqtarit Hamiti. Ai ndëshkoi me karton të kuq tre lojtarë të Partizanit – Taipin, Gudjufin dhe Bytyçin – si dhe katër nga Tirana – Markun, Micin, Gjumsin dhe drejtorin e klubit, Ibrahimi.

Minutat e mbetura u luajtën në një atmosferë të tensionuar, por pa ndryshuar rezultatin. Me këtë barazim, të dyja ekipet ndajnë nga një pikë, duke regjistruar derbin e tretë të këtij sezoni që përfundon pa fitues.

Related posts

Shpërthen rrjeti: Akuza të rënda ndaj Vedat Muriqi për “shitje” të ndeshjes me Turqinë, reagon ashpër sulmuesi

Orges Shehi “shtrëngon vidat” te Tirana, bardheblutë përgatiten në “Selman Stërmasi” për duelin ndaj Flamurtarit (FOTO)

Tension me FSHF-në? Trabzonspori në alarm për Muçin para supersfidës