“Rivalë kemi vetëm Egnatian dhe Vllazninë”, Bytyçi në prag të sfidës ndaj Laçit: E presim me entuziasëm, do ia dalim

Mbrojtësi i Partizanit, Altin Bytyçi, sheh vetëm Egnatian dhe Vllazninë si dy rivalë që mund të kërcënojnë synimet e të kuqve për titullin, ndërsa skuadrat e tjera i sheh nën nivelin e këtyre të dyjave. Të dielën, kryesuesit e rinisin me ndeshjen kundër Laçit.

Kampionati rikthehet me javën e 14-të të shtunën, ndërkohë që të dielën në orën 17.00 Partizani kryesues do të presë Laçin, një skuadër në zonën e rrezikshme të tabelës, por e rilindur në rezultate. Mbrojtësi i të kuqve, Altin Bytyçi, thotë se skuadra e tij vjen me entuziazmin e rezultateve pozitive para pauzës së kampionatit, më e fundit fitorja me Dinamon, dhe beson se do të vazhdojë edhe të dielën.

“Ndeshjen e presim me entuziazëm, ashtu si çdo ndeshje tjetër. Për ne është objektiv i radhës në çdo ndeshje, të shkojmë për tri pikë. Besoj se do ia dalim. Çdo kundërshtar është shumë i vështirë në këtë kampionat dhe Laçi është rikthyer në një formë shumë të mirë pas disa humbjeve që kishte. Mund ta them se është një ndeshje shumë e vështirë, por besoj se do ia dalim”.

Pasi janë luajtur 13 javë, mbrojtësi thotë se sheh si rivalë të Partizanit vetëm Egnatian dhe Vllazninë, ndërsa të tjerët nuk i krijojnë shqetësime në pretendimet për titull.

“Rivali më i fortë? Mendoj se janë Vllaznia dhe Egnatia, të tjerët nuk i shikoj si të tillë”.

23-vjeçari ka marrë pesë kartonë të verdhë deri tani. Ndërsa thotë se kjo është pjesë e lojës për një mbrojtës, pranon edhe se do t’i duhet të jetë edhe pak më i kujdeshshëm për t’i shmangur ndëshkimet.

“Unë jam një mbrojtës dhe agresiviteti është më i fortë se sa duhet, por është fakt që duhet të qetësohem disi”, ka përfunduar mbrojtësi i të kuqve.

Related posts

Dinamo nuk i nxjerr dot “xixa” Shkëndijes, shënohen tre gola në miqësore (video)

Nesër nis stërvitja, klubi i Kategorisë së Parë ka mbetur vetëm me 8 lojtarë

Albion Marku opsion për klubet e Superiores? Mbrojtësi ka mbetur pa ekip pas largimit nga Gyor