Partizani është zhvendosur në Pogradec ku po shfrytëzon temperaturat më të ulëta për të përgatitur ndeshjen e fazës së parë të Champions League kundër BATE Borisov. Kapiteni i kampionëve, Bruno Telushi flet pikërisht për këtë sfidë duke u shprehur optimist. “Kemi bindjen se do të luajmë shanset tona për tu kualifikuar. Rivali është i vështirë, por ne jemi të bindur në aftësitë tona”, tha futbollisti i Partizanit.
Skuadra po merr formë dalëngadalë edhe pse ndryshimet në organikë nuk kanë qenë radikale. “Mendoj se afrimet e reja janë cilësore. Do të na bashkohen edhe lojtarët, të cilët ishin me përfaqësuesen dhe në atë moment besoj se do të jemi të kompletuar”, tha Bruno Telushi.
Emërimi i Zoran Zekiç në stol nuk ka ndryshuar asgjë për grupin e kuq që sipas Telushit, do të përfitojë shumë nga eksperienca e timonierit të ri. “Harmonia që ka të futuar në ekip dhe profesionalizmi që ka treguar na kënaq shumë dhe na motivon shumë”, shprehet vlonjati.
Vetëm pak ditë më parë rinovoi kontratën për një sezon shtesë me skuadrën e zemrës dhe për këtë është shumë i lumtur. “Partizani ka qenë dëshira ime më e madhe dhe jam i lumtur që jam këtu madje rinovova me kënaqësi. Nëse mendoj të mbyll këtu karrierën? Përse jo, por nuk jam duke menduar ende për atë vendim pasi them se ka ende kohë”, tha 32-vjeçari.
Partizani do ta luajë ndeshjen e parë të UEFA Champions League kundër bjellorusëve të BATE Borisov në datën 11 korrik dhe atë të kthimit një javë më pas.