Rikthimi i një ish-kampioni, Nevil Dede flet si trajner i AF Elbasanit: Kam një nostalgji të madhe për qytetin, do ta rikthej në Superiore

Nevil Dede ka marrë drejtimin e skuadrës së Elbasanit pas ngjitjes në Kategorinë e Parë. Dede është një emër i njohur në kampin verdheblu, ku ishte pjesë e skuadrës si futbollist në vitin 2006, kur Elbasani u kurorëzua si kampione e Shqipërisë.

Pas marrjes së drejtimit ditën e hënë të ekipit, sot Dede është ndalur në një konferencë për shtyp. Dede ka theksuar se do të bëjë gjithçka që ta kthejë Elbasanin aty ku e meriton.

“Kam një nostalgji të madhe për këtë qytet dhe për njerëzit që jetojnë këtu. Pse e them këtë. Shumë vite më parë, në 2004-ën për herë të parë kam ardhur të luaj në Elbasan, prandaj e preka fjalën nostalgji, sepse më kanë dhënë nostalgji dhe respekt ato vite që kam luajtu këtu, ku u mundva t’ia përkthej me maksimumin tim dhe mbi të gjitha me sukses. Besoj dhe jam i bindur që ia dola, përderisa dolëm kampion. Jam i nderuar për këtë ofertë për mundësinë apo detyrëm që kam marrë përsipër dhe bashkëpunimin që do të kemi. Jam i nderuar dhe besoj se do të bëj gjithë maksimumin.

Përpos gjithë atyre që thashë më përpara, mund ta mbyll me një fjali të thjeshtë; që unë jam rikthyer në shtëpinë time. Përderisa unë jam në shtëpinë time, besoj që me ndershmëri, e kam treguar edhe si sportist dhe trajner përkushtimin maksiml, do ta kthejmë Elbasanin tonë aty ku ka qenë dhe aty ku e meriton. Falenderimi është për të gjithë, por mbi të gjitha për qytetin dhe tifozët, më pas administratori dhe njerëzit që do të financojnë. Shpresoj t’ia dalim, do ecim para të gjithë bashkë. Kushdo më uron në qytet, do t’i them ‘ishalla na ecën mbarë”, ka thënë Dede.

Related posts

Davide Ziu, talenti shqiptar firmos kontratën si profesionist me Renaten: Ëndrra ime të përfaqësoj Kombëtaren (video)

Flamurtari kërkon ngjitjen në elitë, transferon ish-futbollistin e Dinamos (ZYRTARIZIMI)

Krijoi faturë fiktive për llogari të Ilir Beqajt, SPAK vendos masë sigurie për ish-drejtorin e Partizanit