Nga fundi i vitit 1944, partizanët e Enver Hoxhës kontrollonin pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe formuan një qeveri provizore. Komunistët mbajtën në dhjetor 1945 zgjedhjet me një listë të vetme kandidatësh dhe në janar 1946 e shpallën Shqipërinë republikë më Enver Hoxhën kryeministër. Në periudhën 1944-48 Shqipëria kishte lidhje të ngushta me Jugosllavinë, që kishte ndihmuar në krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Pas prishjes së Titos me Stalinin, Shqipëria u bë aleat i ngushtë i BRSS. Mosmiratimi nga Shqipëria i procesit të destalinizimit dhe afrimit sovieto-jugosllav, çoi më 1961 në prishjen mes Tiranës dhe Moskës.
Ndikimi i Kinës dhe ndihma e saj zëvendësuan ato sovjetike dhe Shqipëria u bë e vetmja aleate e Kinës në Evropën Lindore Komuniste. Shqipëria u tërhoq nga veprimtaria e Këshillit të Ndihmës Ekonomike Reciproke (KNER) dhe, pas pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë, më 1968 u tërhoq edhe nga Organizata e Traktatit të Varshavës. Vazhdimi i armiqësisë me sovjetikët dhe izolimi i Shqipërisë e shtynë regjimin e Enver Hoxhës që vitet e para 1970 të bënte një farë hapje ndaj Jugosllavisë fqinje, Greqisë dhe Italisë. Aleanca me Kinën zgjati deri më 1977, kur Hoxha i prishi lidhjet si protestë ndaj liberalizimit të Kinës dhe afrimit të saj me SHBA.
Më 1967, autoritet komuniste kryen një fushatë të dhunshme për të zhdukur veprimtarinë fetare nga Shqipëria, duke pretenduar se feja e kishte ndarë kombin dhe e kishte mbajtur në batakun e prapambetjes. Agjitatorë nxënës dhe studentë krehën zonat fshatare, duke i detyruar shqiptarët të braktisnin praktikimin e fesë. Me gjithë ankimet që nuk munguan as edhe nga anëtarë të Partisë së Punës, nga fundi i vitit, të gjitha kishat, xhamitë manastiret dhe institucionet e tjera fetare u mbyllën dhe u kthyen në magazina, palestra, apo punishte. Fushata kulmoi me një deklaratë se Shqipëria ishte bërë i vetmi vend ateist në botë, që Enver Hoxha përpiqej ta shiste si një akt heroik dhe një nga arritjet e tij më të mëdha.
Represioni ndaj kryetarëve të fiseve, kolektivizimi i bujqësisë, industrializimi, lëvizja e popullsisë nga fshati në qytet dhe shtypja e fesë i thyen lidhjet tradicionale fisnore në Shqipëri që e kishin bazën në familje patriarkale. Regjimi solli një ndryshim dramatik edhe në gjendjes e gruas. Të konsideruara si qytetare të dorës së dytë në shoqërinë tradicionale shqiptare, gratë bënin punët më të shumta në shtëpi dhe në ara. Para Luftës së Dytë Botërore rreth 90 % e grave shqiptare ishin analfabete dhe në shumë zona ato konsideroheshin thjesht plaçkë sipas ligjeve të lashta fisnore. Gjatë revolucionit Ideologjik Kulturor, në përpjekje për të kompensuar mungesën e krahut të punës dhe për të mposhtur konservatorizmin, partia i nxiti gratë të punonin jashtë shtëpisë. Hoxha vetë deklaroi se kushdo që shkelte urdhrat e partisë për të drejtat e gruas “ do të digjej me zjarr e me hekur”.
Më 1980, Hoxha duket se iu adresua Ramiz Alisë si pasardhës i tij në fronin e patriarkut të Partisë, duke anashkaluar shokun e tij të armëve Mehmet Shehun. Ai u përpoq që të bindte Shehun të hiqej mënjanë, por kur nuk ia arriti, ngriti kundër gjithë Byronë Politike, që e kritikoi rëndë se kishte lejuar fejesën e djalit të tij me një vajzë me “biografi të keqe”. Shehu u tha se vrau veten më 18 dhjetor 1981, por ka pasur gjithnjë dyshime që ai është eliminuar. Në vitin 1983 Hoxha ishte gati në pension dhe Alia morri përsipër drejtimin e Shqipërisë. Kur Hoxha vdiq më 11 prill 1985 ai i la Shqipërisë një trashëgimi represioni, prapambetje teknologjike, izolimi dhe frike nga bota e jashtme. Shqipëria ishte vendi i fundit në Europën Lindore që, në vitet e para 1990, nisi tranzicionin nga regjimi komunist në sistem demokratik.