Refik Halili në telashe.Vendimi i një zyre përmbarimore për të nxjerrë në shitje 66 % të aksioneve të Tiranës, ishte si një rrufe në qiell të hapur për klubin bardheblu, por edhe për opinionin sportiv. Ditën e premte, në mediat e shkruara u përfol se aksionet e presidentit të klubit Refik Halili janë zyrtarisht në shitje për shkak detyrimesh ndaj palëve të treta dhe tashmë i kanë nxjerr zyrtarisht në shitje ato, me ankandin që mbyllet më datë 22 prill. Klikoje Sport ka siguruar vendimin e përmbaruesit privat, i cili ka njoftuar shpalljen e ankandit për blerjen e këtyre aksioneve.
Sipas këtij dokumenti, shoqëria “Halili” i ka një detyrim prej 1.5 milionë euro Darlin Prezës, trashëgimtar i një testamenti ligjor. Ky detyrim është konfirmuar edhe me dy vendime gjykate të shkallës së parë dhe të dytë në vitet 2015 dhe 2017.
“Detyrimin e palës së paditur shoqërisë “Halili” të paguajë në favor të paditësit Abedin Treza (Preza) shumën prej 1.541.835 euro si dhe detyrimin e palës së paditur të paguajë kamatat ligjore mbi këtë shumë nga data e paraqitjes së padisë dhe në vazhdim deri në datën e ekzekutimit të vendimit.
Në vendimin e ankandit thuhet se secili ofertues duhet të depozitojë garanci shumën prej 10% të çmimit fillestar, ndërkohë që ankandi është hapur në 18 prill dhe do të qëndrojë i hapur deri ditën e sotme.
Përveç 66% të aksioneve që janë në pronësi të biznesmenit Refik Halili, pjesa tjetër prej 34% është në pronësi të Bashkisë së Tiranës.