Kryeministri Rama iu rikthye edhe një herë debatit për patronazhistët duke hedhur poshtë në mënyrë indirekte ndërhyrjen e partisë që ai drejton, në të dhënat personale të votuesve.
Sipas tij Partia Socialiste është një rrjet i organizuar me njerëz që punojnë në të gjithë vendin për të arritur qëllimin, që është të fitojnë mendjet dhe zemrat e të gjithë shqiptareve.
“Sot ata që nuk e dinë se çfarë pune, çfarë angazhimi të padukshëm ka brenda familjes tonë politikë, kanë zbuluar fjalën patronazhist, dhe e sjellin vërdallë e vërdallë, duke e deformuar kuptimin e saj.
Për faktin se ata nuk e dinë se Partia Socialiste, është një familje ku të angazhuarit brenda familjes punojnë vullnetarisht, punojnë pas pune, pas shkolle, punojnë duke marrë nga koha e tyre e lirë për të mbuluar territorin shpirtëror të këtij vendi.
Për të pasur komunikim të drejtpërdrejtë me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, qytet në qytet, fshat në fshat, derë në derë. Sepse beteja e përditshme e PS është beteja për të fituar mendjet dhe zemrat e njerëzve.”, deklaroi Rama.