Shtatë punonjës të Postës Shqiptare janë arrestuar pasi përvetësonin pensionet dhe ndihmën ekonomike të personave me aftësi të kufizuar dhe pensionet e atyre që jetojnë jashtë vendit.
Bëhet fjalë për 7 punonjës në filialet në Dibër, Shkodër dhe Tropojë të cilët i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 33 mln lekësh.
Lajmi është ndarë nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i cili shkruan se punonjësit janë arrestuar nga Agjentët e Antikorrupsionit pas denoncimeve që kanë bërë qytetarët.
“Përvetësonin pensionet duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 33.000.000 lekësh, 7 zyrtarë para drejtësisë! Falë denoncimeve të qytetarëve, Agjentët tanë të Antikorrupsionit kanë çuar para drejtësisë 7 punonjës të Postës Shqiptare në Dibër, Shkodër, Tropojë, të cilët përvetësonin ndihmën ekonomike, pagesat për personat me aftësi të kufizuar dhe pensionet e atyre që jetojnë jashtë vendit!
Zero tolerancë për zyrtarët që abuzojnë me ligjin për përfitime personale! Inkurajoj të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast të korrupsionit që hasin në zyrat shtetërore. Bëj pjesën tënde në luftën kundër korrupsionit”, shkruan Manja.