Sekretari për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Demokratike, Arben Kashahu ka përgënjeshtruar përmes një deklarate kryeministrin Edi Rama, i cili pak më parë publikoi një foto, ku theksonte se e njëjta foto ishte krijuar edhe në Bullgari në kufirin me Greqinë.
Po ashtu sipas Kashahut, kryeministri e dinte “që në 5 Gusht shtrëngimin e masave në kufirin me Greqinë, por nuk gjeti kohë gjatë pushimeve luksoze në rezidencat qeveritare të bëjë qoftë edhe një postim në facebookun e tij për të informuar shqiptarët”.
Në përfundim të deklaratës së tij, sekretari i PD për marrëdhëniet me jashtë thotë: “Prokuroria e Posaçme është thirrur sërish në provë për të treguar se nuk është një strukturë në shërbim të qeverisë dhe se ka guximin të veprojë si një organizëm i pavarur në shërbim të interesit publik.”
Deklarata e plotë:
Edi Rama ka shpërdoruar detyrën në lejimin e krizës humanitare në pikën kufitare të Kakavijës, ku, tragjikisht, humbi jetën edhe një fëmijë.
Kryeministri i vendit i cili është njëkohësisht edhe Ministër i Jashtëm fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, u informua që në datën 5 gusht zyrtarisht për vendimet e marra nga pala greke për të menaxhuar pandeminë me shtetasit që hyjnë në Greqi. 11 ditë më parë Edi Rama e dinte se çfarë do të ndodhte, por vazhdoi pushimet pa e vënë ujin në zjarr për mijëra shqiptarë që e pësuan prej neglizhencës së tij kriminale.
Dokumenti i bërë publik nga Presidenti i Republikës, nxjerr në dritë neglizhencën dhe papërgjegjshmërinë e kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm Edi Rama.
Ai nuk bëri asgjë. Shkoi me pushime luksoze dhe i la shqiptarët të dynden në pikën kufitare pa asnjë lajmërim, pa asnjë masë për të parandaluar atë katastrofë humanitare.
Dokumenti i datës 5 Gusht tregon se Edi Rama është përgjegjës i drejtëpërdrejtë për atë që ndodhi në kufijtë tanë me shtetin fqinjë. Ai është përgjegjës për vuajtjet dhe humbjet që pësuan shqiptarët në pritje për të kaluar kufirin.
Tradhëtia e tij ndaj shqiptarëve vazhdon edhe sot, kur genjen duke i shitur fotot e 4 viteve më parë në kufirin Bullgaro-Grek si bllokim të kufirit sot, i cili ka zgjatur vetëm pak orë dhe pa arsye të ngjashme me Shqipërinë.
Shkrimi i gazetës greke Kathimerini që paraqitet në foton e Edi Ramës sot, i përket 2 shkurtit 2016. Megjithatë, asnjë foto nga asnjë kufi tjetër i Europës nuk jusitikon dot dështimin e Ed Ramës dhe braktisjen e shqiptarëve.
Edi Rama e dinte që në 5 Gusht shtrëngimin e masave në kufirin me Greqinë, por nuk gjeti kohë gjatë pushimeve luksoze në rezidencat qeveritare të bëjë qoftë edhe një postim në facebookun e tij për të informuar shqiptarët.
Ky është shpërdorim i pastër detyre që solli si pasojë humbjen e një jete të pafajshme.
Prokuroria e Posaçme është thirrur sërish në provë për të treguar se nuk është një strukturë në shërbim të qeverisë dhe se ka guximin të veprojë si një organizëm i pavarur në shërbim të interesit publik.