Presidenti Meta uron besimtarët katolikë për Pashkën: Vendi ka nevojë për shpresë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët katolikë me rastin e festës së Pashkës.

Në mesazhin e tij për këtë ditë, Kreu i Shtetit shkruan se vendi ynë ka nevojë për shpresë që të rinjtë të kthehen në Atdhe.

Mesazhi Presidentit Meta.

Të dashur besimtarë katolikë e ungjillorë, motra e vëllezër shqiptarë kudo ndodheni: GËZUAR NGA MOT PASHKËN!

Drita e Hyjit të ndriçojë përherë zemrën dhe familjet Tuaja!

Pandemia, për të dytin vit, na detyron të kremtojmë larg njëri-tjetrit fizikisht, por shumë më afër shpirtërisht, këtë festë të shenjtë dhe frymëzuese, që lajmëron triumfin e jetës mbi vdekjen, të së mirës mbi të keqen, të dritës dhe të shpresës mbi errësirën dhe dëshpërimin, të së drejtës dhe të vërtetës mbi padrejtësinë dhe gënjeshtrën, të humanizmit e dhembshurisë mbi babëzinë dhe arrogancën.

Me besimin në Zot dhe në solidaritet me njëri-tjetrin kemi gjetur forcën dhe kurajën për të kapërcyer sprova të panumërta në këto kohë të vështira. Jemi përpjekur të jemi më bashkëpunues për të ndërtuar një të nesërme më të mirë, më të paqtë e të begatë për njerëzit në nevojë dhe për të ardhmen e sigurt të popullit dhe të Shqipërisë tonë.

Duke ju bashkuar lutjeve Tuaja për shërim sa më të shpejtë të të afërmve të prekur nga pandemia, kemi ende nevojë të tregojmë më shumë vëmendje veçanërisht ndaj shtresave në nevojë, të pamundurve e të sëmurëve, fëmijëve dhe të moshuarve, të cilët meritojnë më shumë mbështetje, ndihmë konkrete, përkrahje dhe dashuri më të madhe prej nesh.

Vendi ka nevojë për shpresë, që shqiponjat të kthehen dhe të qëndrojnë në folenë e tyre, ku të jetojnë të qetë dhe të ndërtojnë të ardhmen e sigurt, siç na porositi Papa Françesku gjatë vizitës së Tij historike në Tiranë.

Drita, që lind sot jam i bindur se do të ndezë edhe më shumë shpresën dhe kurajën në zemrën dhe mendjen e çdo shqiptari, për të mposhtur me besim në Zot të keqen, kudo ndodhet dhe në çdo formë që shfaqet.

Ditë më të mira na presin dhe do të vijnë patjetër!

Mbarësia, paqja, begatia dhe lumturia mbizotëroftë tek çdo familje!

Related posts

Mblidhet kryesia e PD, ja data kur do të mbahet protesta kombëtare

Deklarata e fortë e Spiropalit: Unë dhe treçereku i ministrave e deputetëve mund të mos jemi më në…

Manastirliu në SPAK/ Vokshi zbardh detajet e bujshme: Ja shuma marramendëse e paguar nga ministrja për maskat mbrojtëse!